Turqia dhe Arabia Saudite po përpiqen t’i rrisin të gjitha llojet e marrëdhënieve politike, ushtarake dhe ekonomike për të nisur një epokë të re, tha sot presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Ne bëmë një vizitë në Arabinë Saudite me ftesë të Hadimu’l Haremejnit (Shërbëtorit të Mekës dhe Medinës)”, tha Erdoğan në Twitter, duke iu referuar mbretit saudit Salman bin Abdulaziz Al Saud.
“Si dy vende vëllazërore me lidhje historike, kulturore dhe njerëzore, ne po përpiqemi të rrisim të gjitha llojet e marrëdhënieve politike, ushtarake dhe ekonomike mes nesh dhe të fillojmë një epokë të re”, shkroi Erdoğan.
Rritja e bashkëpunimit me Arabinë Saudite në shëndetësi, energji, siguri ushqimore, teknologji bujqësore, industrinë e mbrojtjes dhe financat është në interes të përbashkët, tha Erdoğan, duke shtuar se të dy vendet kanë potencial serioz bashkëpunimi në teknologjitë e energjisë së rinovueshme dhe të pastër.
Erdoğan tha gjithashtu se Turqia i kushton rëndësi të madhe sigurisë dhe stabilitetit të rajonit të Gjirit.
“Ne shprehim në çdo rast se i kushtojmë po aq rëndësi stabilitetit dhe sigurisë së vëllezërve tanë në rajonin e Gjirit, sa edhe tonave”, tha ai.
“Ne theksojmë se jemi kundër të gjitha formave të terrorizmit dhe se i kushtojmë rëndësi bashkëpunimit me vendet e rajonit tonë kundër terrorizmit”, shtoi ai.
“Unë besoj se do t’i çojmë marrëdhëniet tona në një nivel përtej asaj që ishin më parë”, tha Erdoğan, duke shtuar se vizita e tij gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit “do të hapë dyert e një epoke të re me mikun dhe vëllanë tonë Arabinë Saudite”.
Mbreti Salman priti presidentin Erdoğan të enjten në mbrëmje me një ceremoni zyrtare në Xheda.
Dy liderët zhvilluan një takim me dyer të mbyllura në Pallatin Mbretëror Al-Salam.
Erdoğan u takua gjithashtu me princin saudit të kurorës, Mohammed bin Salman.
Presidenti turk mbërriti në Arabinë Saudite të enjten në mbrëmje për një vizitë pune dyditore.
Gesko dhe Rina sjellin këngën e re “Bobo”
Mexhiti: Nesër në mbledhjen ndërqeveritare Kosovë-RMV do të ...
Muriqi: Me Lituaninë vetëm fitore
Zëdhënësi i Hezbollahut vritet gjatë një sulmi në qendër të ...
Lela: Gjesti mund të ndihet më ‘i vogël’ se Edi
Prezantohen 4 drejtorët e rinj të policisë, Hoxha: Të garant...