Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan lidhur me vendimin e presidentit të SHBA-ve Donald Trump për Kudsin tha se e ka parë si shumë të gabuar që presidenti amerikan mori një vendim të tillë për Kudsin, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Unë e pashë si shumë të gabuar që zotëri Trump e solli këtë vendim për Kudsin. Ai nuk duhej të futej në këtë loj, në këtë kurth. Pse? Sepse e dini se është vendimi numër 478 i Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) i vitit 1980 dhe në fund të këtij vendimi të asaj kohe qëndron edhe nënshkrimi i SHBA-së. Përkundër këtij nënshkrimi, shkelja e këtij vendimi nga SHBA ishte një hap shumë i gabuar”, ka deklaruar presidenti turk.
Presidenti Erdoğan para vizitës së tij në tre shtete të Afrikës, Sudan, Çad dhe Tunizi gjatë datave 24-27 dhjetor dha një intervistë për faqen e internetit “All Africa”.
Duke rikujtuar se Turqia e kishte shpallur vitin 2005 si “Viti i Afrikës, Erdoğan u shpreh se gjatë këtij viti, kur ai ishte në pozitën e kryeministrit, Turqia kishte 12 ambasada në Afrikë, kurse për momentin tha se Turqia ka 39 ambasada në Afrikë. Ai shprehu se shpresojnë që të kenë ambasada të Turqisë në të gjitha shtetet e Afrikës. “Do ta arrijmë këtë sepse jemi të vendosur”, tha ai.
Ai bëri të ditur se rolin kryesor për zhvillimin e marrëdhënieve mes Turqisë dhe Afrikës e luan Turkish Airlines (THY). Erdoğan tha se THY për momentin po shërben me 55 destinacione në 33 shtete dhe se kjo po mundëson udhëtimin e qytetarëve turq në Afrikë dhe anasjelltas. “Turqia për momentin nuk është Turqia e para 15-16 viteve. Ne jemi në një pozitë shumë më ndryshe”, tha ai
Është e kënaqshme heqja e embargos së SHBA-ve ndaj Sudanit
Erdoğan foli për rëndësinë e vizitës së tij në Sudan. Ai tha se vizita e tij ka qenë një vizitë e planifikuar më parë, e jo një vizitë që vjen pas vizitës së presidentit të Sudanit në Turqi, me rastin e Samitit të OBI-t.
“Sigurisht që Sudani është një shtet i madh dhe një shtet me të cilin kemi shumë gjëra të përbashkëta si në kulturë, besim dhe civilizim. Kjo vizitë të cilën do e realizojmë atje, takimet bilaterale që do të realizohen mes biznesmenëve tanë si dhe adresimet tona si liderë për këta biznesmenë kanë një rëndësi të madhe. Së bashku me gjithë këto edhe vizita jonë në Çad njashtu edhe në Tunizi, besoj se do të sjellë bujë. Në anën tjetër edhe heqja e embargos ndaj Sudanit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është një zhvillim i kënaqshëm. Shpresojmë se këto zhvillime në drejtim pozitiv vazhdojnë duke u ritur”, tha ai.
“Ta marrësh pranë dhe të ecësh vetëm me Izraelin, me sa duket nuk i përshtatet Amerikës së madhe”
Lidhur me vendimin e SHBA-ve për njohjen e Kudsit si kryeqytet të Izraelit si dhe për gjendjen pas miratimit të rezolutës e cila e kundërshton këtë vendim, në Asamblenë e Përgjitshme të OKB-së me 128 vota pro dhe 9 kundër, Erdoğan fillimisht tha se Kudsi ka një rëndësi të madhe për botën Islame dhe se Mesxhid-i Aksa ka një rëndësi të madhe meqë është kibla e parë e muslimanëve.
Më tej presidenti Erdoğan u shpreh se Kudsi ka një rëndësi të madhe edhe për të krishterët.
“Sigurisht që unë si kryesues aktual i Organizatës për Bashkëpunim Islam (OBI) duke thirrur shtete të shumta islame, kam thirrur edhe Patrik Fransuva-n i cili është në pozitën e liderit të botës krishtere. Bisedova me atë për këtë proces dhe e pashë që edhe ai e ndan të njëjtin mendim me ne. Poashtu kam thirrur edhe presidentin e Gjermanisë (Frank-Walter Steinmeier), kancelaren (Angela Merkel), presidentin e Francës (Emmanuel) Macron, presidentin e Rusisë (Vladimir) Putin. Bisedova edhe me ata për këtë çështje. Pra, jo vetëm nga bota islame, por kam thirrur liderë të shumtë edhe jashtë botës islame, sepse ky problem nuk ishte vetëm një problem i muslimanëve, por në të vërtetë problem i gjithë njerëzimit”, tha Erdoğan.
“Pra e pashë si shumë të gabuar që zotëri (Donald Trump) e solli kështu ngjarjen dhe e burgosi Kudsin. Nuk duhej të hynte në këtë lojë, në këtë kurth. Pse? Sepse e dini se është vendimi numër 478 i KS të OKB-së i vitit 1980 dhe në fund të këtij vendimi të asaj kohe qëndron edhe nënshkrimi i SHBA-së. Përkundër këtij nënshkrimi, shkelja e këtij vendimi nga SHBA ishte një hap shumë i gabuar. Cili ishte hapi i duhur që duhet të ndërmerrej? Shkojmë në vitin 1967 dhe çfarë ka në vitin 1967? Këtu ka një zgjidhje me dy shtete. Tani bëhet fjalë që Kudsi Lindor të njihet si kryeqytet i Palestinës dhe po të ishte afruar në zgjidhjen me dy shtete atëherë nuk do të vinte puna deri këtu”, tha presidenti i Turqisë.
Ai gjithashtu foli për ditën kur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së u shqyrtua rezoluta për Kudsin, ku kjo rezolutë u pranua me 128 vota pro dhe 9 vota kundër. Erdoğan vuri në dukje se vetëm 9 shtete ishin pranë Trumpit.
“Pranë kësaj shohim se 35 shtete kanë abstenuar. Në të vërtetë edhe ata të cilët abstenuan, e bënë këtë nën presione serioze. Besoj se po të ishin të rehatshëm edhe ata do të ishin pranë 128 shteteve. Sepse nëse shikojmë shtetet të cilët janë pranë zotëri Trumpit, shihet vëllimi i tyre. Tani besoj se përpara kësaj gjendjeje, zotëri Trump do ta rishikojë situatën”, tha ai.
Ndërkaq, lidhur me hapat që duhet të ndërmerren pas kësaj presidenti Erdoğan tha se “Nëse ne jemi në anën e paqes atëherë do t’i themi po zgjidhjes me dy shtete. Ndërsa jo, nëse nuk jemi në anën e paqes dhe kërkojmë ndërhyrjen në Lindjen e Mesme. Nëse e duam një gjendje të tillë, atëherë sigurisht se njerëzimi kujt do t’ia shkruajë faturën e kësaj? Zotëri Trumpit dhe Izraelit. Por tanimë njerëzimi nuk do luftë, do paqe, njerëzimi tanimë është i lodhur shumë nga luftërat, sidomos Lindja e Mesme u lodh shumë, shumë”.
“Janë të qarta ato që po ndodhin në Irak dhe Siri, po vdesin milionat, po vdesin gratë dhe fëmijët. Së fundmi, a mund ta paramendoni se në çfarë gjendje e futën ushtarët e Izraelit një fëmijë me sindromin Down duke e ngjitur për muri, në çfarë gjendje e sollën 20 ushtarë të Izraelit 15 vjeçarin Xhunejdi, çfarë u bënë vajzave të vogla. Për këtë, për momentin Izraeli është një shtet okupues dhe meqë terrorizon edhe unë them se ka terrorizm shtetëror, Izraeli po e bën këtë. Ku po e bën? Në Kuds. Ne jemi të detyrueshëm që ta shohim këtë dhe që të jemi në unitet, të bashkuar, sepse unë assesi nuk e shoh këtë si një çështje vetëm të muslimanëve. Kjo ëshë një çështje e të gjithë njerëzimit. Për këtë arsye në votim (në OKB) e përçuam mesazhin se kjo është çështje e gjithë njerëzimit. Për këtë arsye në emrin tim dhe në emër të popullit tim unë u shpreh mirënjohje dhe falënderim sidomos 128 shteteve për qëndrimin e drejtë”, theksoi Erdoğan.
Duke u përgjigjur në pyetjen se çfarë do të jenë hapat në vijim nëse Trump nuk kthehet prapa nga ky vendim, Erdoğan tha se do të nisin një angazhim së bashku me Palestinën dhe 128 shtetet të cilat qëndruan pranë këtij shteti, por edhe me ata që abstenuan dhe se ky angazhim do të duhet që të sjellë njohjen e Palestinës nga të gjitha këto shtete si një shtet të pavarur.
“Pasi që kjo të bëhet edhe SHBA-të me dashje apo pa dashje duhe t’i lexojnë mirë këto zhvillime. Ndoshta nuk do të këmbëngulet aq shumë mbi këtë gabim, së fundmi edhe ata do ta zgjedhin të vërtetën. Të marrësh pranë dhe të ecësh vetëm me Izraelin, me sa duket nuk i përshtatet Amerikës së madhe”, tha presidenti Erdoğan.
DEASH-i ka humbur gjak në masë të madhe”
Në vazhdim presidenti Erdoğan u shpreh se Turqia gjatë viteve të fundit ka rritur në masë të madhe luftën kundër terrorizmit dhe se ka arritur suksese në këtë luftë.
“Ne duke luftuar brenda kundër terrorizmit, në anën tjetër kemi luftuar pjesërisht edhe kundër DEASH-it. Por, në anën tjetër, në Siri dhe Irak ndodhet edhe organizata terroriste DEASH. Me siguri se tani DEASH-i ka humbur gjak në masë të madhe. Për shembull ne kemi pastruar nga DEASH-i një territor prej 2 mijë kilometrash katrorë në Siri, nga Jarabulusi deri në Bab el Raid. Kurse në anën tjetër forcat e koalicionit përsëri po e dëbojnë DEASH-in nga jugu dhe kështu tani 5 për qind e Sirisë është nën kontrollin e DEASH-it, kurse 95 për qind tani ka kaluar nën kontrollin e forcave të koalicionit dhe të regjimit. Pra, DEASH-i tanimë është pastruar tërësisht nga Siria. E njëjta gjendje është në Irak. Edhe atje tanimë nuk ka mbetur shumë nga DEASH-i”, tha Erdoğan.
Recep Tayyip Erdoğan i paralajmëroi vendet e Afrikës që të mos i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollat e organizatës terroriste FETO.
“Së pari pa u vonuar fare, as fëmijët e as nipërit/mbesat e juaja, asnjërin prej tyre mos i dërgoni assesi në shkollat e këtyre. Edukimi dhe arsimimi për këta është vetëm një maskë e bukur dhe nën këtë maskë madje edhe feja është një maskë”, ka thënë Presidenti Erdoğan në intervistën për faqen e internetit “AllAfrica” para vizitës së tij në tre shtetet e Afrikës, Sudan, Çad dhe Tunizi gjatë datave 24-27 dhjetor.
Lidhur me pyetjen e gazetarit se para 15 korrikut një numër i madh i afrikanëve kanë dërguar fëmijët e tyre në shkollat e FETO-s, Erdoğan tha se:
“Ju e dini se çka na udhëzon Zoti në Suren Maun, madje e përmend duke e mallkuar, kë? I përmend ata të cilët e falin mamazin. Pse? Sepse ata e falin namazin por nuk janë në vetëdijen e tyre. Tani ne duke vepruar në bazë të kësaj, nuk do të hyjmë në këtë lojë. Kush janë ata të cilët e kryen tentativën për grusht shteti më 15 korrik? Këta. A u zbuluan tani më këta? Po u zbuluan”.
Ai theksoi se një pjesë e anëtarëve të organizatës FETO janë dënuar me dënime të ndryshme burgimi dhe me burgim të përjetshëm. Erdoğan rikujtoi se këta janë ata të cilët kanë shkuar ta vrasin atë dhe familjen e tij. Duke thënë se Zoti i ka mbrojtur ata dhe se për disa minuta u kanë shpëtuar bombardimeve të tyre, Erdoğan tha se 2 policë dhe roja e tij e sigurisë kanë rënë dëshmorë nga sulmet e tyre.
Presidenti turk rikujtoi se gjithsej 251 persona kanë rënë dëshmorë ndërsa 2.193 janë të tjerë janë plagosur nga sulmet e këtyre personave.
“Mos hyni në këtë lojë”
Ai tha se po përpiqen që edhe Afrika të mos i pësojë dëmet e njëjta. Erdoğan tha se personat në fjalë po përfitojnë para të mëdha nëpërmjet këtyre rrugëve.
“Mendoni, është viti 1999 dhe personi që ndodhet në krye të kësaj pune, kryeterroristi FETO iku në Amerikë. Ku është tani? Në Pensilvani dhe ne edhe pse kemi dërguar 85-90 pako me dokumente në Amerikë, ende nuk arritëm ta marrim atë. Çfarë aleance është kjo, çfarë aleance strategjike, nuk po na dorëzojnë apo? Nesër nëse Amerika e kërkon të njëjtën gjë nga ne, as unë nuk do t’ia dorëzojmë Amerikës. Pse? Së pari ti atje po mban vrasësin e 251 dëshmorëve të mi, shkaktarin e 2.193 të plagosurve. Në dorë i ke dokumentet, ka vendime të marra për burgim të përjetshëm për të, ju nuk po e dorëzoni atë ndërsa po kërkoni nga ne këtë. Jo, nuk do ta merrni. Do ta dorëzoni dhe ai do të gjykohet tek ne. Ne nuk kemi dënim me vdekje. Dorëzojeni dhe ai le të gjykohet në shtetin tim, përse nuk po e dorëzoni?”, tha presidenti turk.
Erdoğan bëri të ditur se kanë themeluar Fondacionin Turk Maarif në mënyrë që afrikanët të mos futen në këtë lojë. Duke theksuar se ky fondacion do të japë një edukim më kualitativ, presidenti turk tha se ky fondacion nuk ka nisur punën me ambicie të përfitimit të parave, siç bëjnë të tjerët. Ai njoftoi se ky fondacion do të ofrojë edukim dhe arsimim edhe në Sudan, Çad dhe Tunizi.
“Tanimë këta nuk kanë asnjë lidhje me Republikën e Turqisë. Por, në emrat e tyre ata përsëri mund ta vendosin se është një gjë turke, te këta ka çdo lloj të gënjeshtrave, por mos u mashtroni me lojëra të tilla. Afrika duhet ta prishë më këtë lojë. Nëse ka ndonjë çështje le të na pyesin neve, ne iu japim atyre përgjigjen më të mirë. Nëse i ndjekin këto çështje me ndërmjetësim të ambasadave tona, bashkimi dhe uniteti jonë do të jetë mbi të gjithat. Ne e duam sidomos këtë solidaritet”, tha Erdoğan.
Feja islame nuk e aprovon assesi tregtinë e skllevërve”
Lidhur me atë se refugjatët afrikanë po shiten nëpër tregjet e skllevërve, Erdoğan tha se Turqia është nikoqir i më shumë se 3.5 milionë refugjatëve sirianë dhe se po përpiqen që t’i përmbushin të gjitha nevojat e këtyre personave.
Presidenti Erdoğan tha se detyra islame, humanitare dhe e ndërgjegjës së Turqisë e kërkon këtë dhe bëri të ditur se deri më tani për këtë kanë shpenzuar 30 miliardë dollarë.
“Dhe për momentin a ka ardhur ndonjë gjë nga Bashkimi Evropian. T’ju them, deri më tani shuma që ka ardhur është 900 milionë euro. A ka ardhur nga Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR)? Shuma që ka ardhur është 550 milionë dollarë. Por vlera të cilin ne kemi shpenzuar është 30 miliardë dollarë. Tani të gjitha këto janë detyrë për ne dhe ne do të vazhdojmë t’i bëjmë këto, edhe nëse vijnë apo jo ato. Sepse dora që jep është më e mirë se ajo që merr”, tha Erdoğan.
Lidhur me çështjen e skllavërisë, Erdoğan tha se nuk lejojnë assesi që refugjatët në fjalë të blihen apo shiten si skllevër dhe se edhe feja Islame nuk e aprovon këtë gjë.
Duke u bërë thirrje të rinjve dhe zyrtarëve nga Libia, Erdoğan tha: “Assesi mos e respektoni tregtinë e skllevërve, një gjë të cilën e ka eliminuar feja jonë, mos hyni në këtë lojë, dhe shpëtoni ata të cilët kanë hyrë aty. Sepse kjo është ana më e rëndësishme dhe me e pasur e muslimanëve. Unë u bëj thirrje të gjithë vëllezërve të mi atje që të bëhen Hazreti Ebubekir Radiyallahu Anh, le t’i shpëtojnë ata. Nëse e arrijnë këtë, Libia do të arrijë edhe në atë të ardhme të ndritur”.
Presidenti Erdoğan gjatë fjalimit të tij po ashtu theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së grave në mënyrë aktive në politikë, punë, shoqëritë civile dhe në fusha të shumta përfshirë edhe në gjyqësorin, ku shtoi se kjo duhet të ndodhë edhe në shtetet e Afrikës.
Erdoğan tha se vendi i tij brenda 5 deri në 10 vitet e ardhshme do të arrijë në gjendje që të konkurrojë me botën në sektorin e shëndetësisë.
Ai tha se zhvillimet në sistemin dhe shërbimet e shëndetësisë janë mundësuar me rritjen e numrit të fakulteteve të mjekësisë dhe promovimit të spitaleve private.
“Gjëja më e rëndësishme këtu është arsimimi dhe edukimi, kjo rrugë kalon nga arsimi dhe edukimi. Për shembull para 15 vitesh numri i fakulteteve të mjekësisë në Turqi nuk ishte i madh, por pasi që ne erdhëm në pushtet, nisëm që të rrisim me shpejtësi numrin e fakulteteve të mjekësisë. Ne promovuam edhe numrin e spitaleve private. Patëm disa probleme. Por, tani edhe sektori privat, fondacionet por edhe shteti dhe universitetet kanë spitalet e tyre”, tha Erdoğan.
Sipas tij, të gjitha këto spitale duhet të reformohen brenda kohës. Erdoğan tha se ajo që është e rëndësishme tani është rritja e numrit të mjekëve, infermierëve dhe punonjësve të shëndetësisë.
“Në 5-10 vitet e ardhshme ne do të arrijmë në gjendje ku do të konkurojmë me botën në fushën e shëndetësisë. Ndoshta do të hyjmë edhe në të parët, e besoj këtë”, tha Erdoğan për të shtuar se Turqia ka mjekë e infermierë shumë të talentuar.
Presidenti turk tha se spitalet në Turqi edhe në bazë të kushteve fizike kanë filluar që t’i tejkalojnë të gjitha spitalet në Evropë. Ai e potencoi si shembull spitalin e ndërtuar në Somali nga Turqia ku tha se do të vazhdojnë t’i ndajnë të gjitha përvojat e tyre në fushën e shëndetësisë me të gjitha shtetet e Afrikës.
Mesazhi për Somalinë
Lidhur me kërkesën e disa parlamentarëve në Somali për shkarkimin nga detyra të presidentit të Somalisë, Erdoğan tha se nuk mund të thotë shumëçka meqë nuk është i informuar me detaje për këtë çështje.
“Mos e prishni unitetit dhe bashkimin. Sepse në Afrikë gjithmonë po luhen lojërat e përçarjes, copëtimit, menaxhimit, kjo është qasja. Edhe në vendet tjera është kjo gjendje. Këtë e kanë bërë gjithmonë forcat dominuese. Ne duam që të mos hyni në këtë lojë. Kemi shpresa shumë të mëdha për të ardhmen e Afrikës. Ky shekull mund të jetë shekulli i Afrikës. Ju e dini më mirë se ne, se kush i ka shfrytëzuar të gjitha pasuritë e Afrikës. Ju e dini më mirë se unë se si u mor ari, nafta, platini. Pra, mendoj se Afrika duhet t’i tejkalojë këto”, theksoi Erdoğan.
Liria e shprehjes dhe e shtypit
Lidhur me raportet e lirisë së shpehjes dhe të shtypit në Turqi, Erdoğan tha se “Të gjitha raportet e përgatitura për këtë çështje nga Evropa, së pari janë raporte të anshme, nuk janë objektive. Ju e dini se unë kam hyrë në burg sepse kam lexuar një poezi, jam një person, politikan i cili u shkarkua nga detyra kur isha kryetar komune i Stambollit, këtë gjë e di mirë unë”.
“Por duhet ta dimë këtë gjë, një anëtar i medias nuk mund të ketë liri të pakufizuar, edhe liria e tij është deri në një vend. Ku është ai vend? Është deri aty ku fillon liria e dikujt tjetër. Një anëtar i medias nuk mund t’i japë mbështetje terrorizmit. Nëse një anëtar i medias i jep mbështetje terrorizmit, nëse është pothuajse kopshtar i terrorizmit, duhet ta paguajë çmimin e kësaj. Të gjithë ata të cilët janë burgosur apo kanë ikur nga Turqia, të gjithë këta anëtarë të mediave kanë kryer vepra të tilla penale, në të kundërtën ata nuk janë dënuar, ndaluar apo arrestuar për shkak të mendimeve të tyre, te të gjithë ka ndodhur kjo”, deklaroi Erdoğan.
Ai rikujtoi se është zgjedhur si president me 52 për qind të votave në zgjedhje me një pjesëmarrje të madhe.
“Mua përsëri më thonë diktator. Në rregull, por unë kam ardhur nga kutia e votimeve, nuk kam ardhur me ndonjë grusht shteti ushtarak, unë kam ardhur me një pjesëmarrje prej 86-87 për qind, si po ndodh kjo diktaturë? Nëse bëhet fjalë për fyerje, ju keni bërë çdo lloj të fyerjes, kanë fyer familjen time, vazjat, fëmijët, i fyen të gjithë. Por, populli im i di shërbimet e dhëna nga ne, e di se çfarë kemi bërë në arsim, në shëndetësi, transport, energjetikë, bujqësi, drejtësi, siguri. Populli im i di shumë mirë këto. Për këtë arsye nuk po dëgjon se çfarë thonë ata dhe voton përsëri për ne. Thelbësore është respektimi i vullnetit të popullit, të gjitha përveç kësaj janë boshe”, tha Erdoğan./AA/
Sulmi terrorist në Ibër Lepenc, PE: Mbështesim institucionet...
Vuçiqi mohon përfshirjen e Serbisë në sulmin terrorist në Ib...
Muja kërkon mirëkuptimin e qytetarëve: Furnizimi i plotë me ...
Osmani takon komandantin e KFOR-it: Sulmi terrorist ndaj inf...
Sulmi në Ibër Lepenc, Osmani priti në takim ambasadorë të sh...
Konjufca: Tentativat e bandave të dirigjuara terroriste do t...