Komisioni Europian kërkon përfshirjen e Turqisë në një dialog serioz dhe të ndershëm për Mesdheun Lindor për të zgjidhur raportet e tendosura me Greqinë. Brukseli ka paralajmëruar sanksione nëse bisedimet dështojnë, ndërsa presidenti turk Erdoan shprehet i palëkundur.
Ekzekutivi i Bashkimit Europian i ka bërë thirrje Turqisë të dialogojë dhe të mos ndërmarrë hapa të njëanshëm që do përshkallëzonin tensionet e Greqinë në Mesdheun Lindor.
Komisioni paralajmëroi javën e kaluar pas takimit të 27 kryediplomatëve të unionit se nëse dialogu nuk do të sjellë frytë, BE’ja i ka gati sanksionet për Ankaranë.
Bazuar nga burimet në takim, Brukseli pritet të përdorë metodën e shkopit dhe karotës për ta ulur palën turke në tryezë, ku përpos masave ndëshkimore, mund t’i propozojë një union të ri doganor apo më shumë financime për përballimin e valës së refugjatëve në vend.
Peter Stano, zëdhënësi i diplomacisë europiane, tha të hënën se BE-ja radhitet qartësisht krah Qipros dhe Greqisë kur bëhet fjalë për pozitat e tyre përballë Turqisë.
“Fillimi i dialogut është thelbësor, i dialogut serioz, të ndershëm që zgjidh të gjitha çështjet e hapura. Vetëm me negociata sigurohet shtensionimi i situatës dhe rruga drejt stabilitetit e zgjidhjeve afatgjata, që janë kaq të nevojshme për raportet tona me Turqinë si fqinje dhe partnere.”
Mesdheu Lindor është kthyer në një zonë tensionesh pasi si Greqia, edhe Turqia kanë pretendime për territoret ujore dhe rezervat e pasura të gazit dhe naftës që strehon rajoni.
Palët kanë treguar se janë gati t’i mbrojnë interesat e tyre me çdo kusht, duke mos përjashtuar edhe përdorimin e forcës luftarake.
Më e palëkundur dhe kërcënuese në këtë situatë vazhdon të paraqitet Ankaraja, siç e tregoi të dielën edhe deklarata e presidentit Recep Tayip Erdogan.
“A është i ndërgjegjshëm populli grek se çfarë e pret për shkak të sundimtarëve të vet ambiciozë dhe inkompententë? Kushdo që na ka përballur në tokë, në det a në ajër, e di vendosmërinë e Turqisë për të mbrojtur interesat legjitime sipas ligjeve ndërkombëtare. Ata që nuk e dinë, këtë realitet do ta mësojnë në fushë, në tryezë a në platformat ndërkombëtare.”
Si Greqia, edhe Turqia kanë apeluar aleatët për mbështetje, duke u shprehur të hapura ndërmjetësim.
Të mërkurën e kaluar, Greqia me Francën, Italinë dhe administratën grekoqipriote kryen stërvitje ushtarake në jugun e ishullit të Kretës, ndërsa palën turke e shoqëroi nga afër flota amerikane.
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...