Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha se sanksionet e mundshme evropiane, nuk do të kishin ndikim në vendin e tij.
Ai akuzoi Bashkimin Evropian për veprime të “pandershme” ndaj Turqisë dhe për dështimin për të mbajtur premtimet.
“Çdo vendim për të vendosur sanksione nuk do ta shqetësojë shumë Turqinë”, u tha Erdogan gazetarëve, para se të nisej për një vizitë në Azerbajxhan.
Komentet e Erdoganit u bënë para mbajtjes së një samiti të BE-së, në të cilin pritet të diskutohet edhe për mosmarrëveshjet mes Turqisë dhe Greqisë, për kërkimet e gazit në ujërat e Detit Mesdhe. Turqia, në muajt e fundit ka dërguar anije kërkimi në këto ujëra.
Athina tani po bën presion për sanksione ndëshkimore ndaj Ankarasë. Disa vende të BE-së, përfshirë Francën, po e përkrahin këtë ide, por disa tjera po kanë frikë se Turqia mund të kundërpërgjigjej me hapjen e dyerve për migrantët drejt Bashkimit Evropian.
Turqia mban miliona migrantë që kanë ikur nga konfliktet në Lindjen e Mesme.
Të martën, ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, tha se “pavarësisht nëse ju pëlqen, ose jo, në një masë të madhe, siguria e Evropës është në duart e Turqisë”.
Turqia në telashe edhe me SHBA-në
Por, Turqia nuk po përballet me kërcënime për sanksione vetëm nga ana e BE-së.
Edhe Shtetet e Bashkuara kanë përmendur mundësinë e sanksioneve për shkak se Ankaraja e ka blerë sistemin rus të mbrojtjes raketore S-400.
Turqia është vend anëtar i NATO-s. SHBA-ja por edhe aleatët tjerë kanë thënë se ky armatim rus paraqet rrezik për sistemin ajror të NATO-s.
Erdogan tha se kërcënimet e SHBA-së janë të “të papërshtatshme” dhe shtoi se, ai shpreson se do ta diskutojë këtë çështje me presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Joe Biden.
“Unë e njoh shumë mirë Bidenin. Në fakt, ai më ka vizituar edhe në shtëpinë time. Ne do të ulemi dhe do të bisedojmë me Biden pasi ai të marrë detyrën e tij”, tha Erdogan. /rel
Haradinaj: Aleanca me partnerët, forca e vetme për përparim ...
Mbi 1.000 koreanoveriorë të vrarë apo të plagosur duke luftu...
Rohde i shqetësuar për moscertifikimin e Listës Serbe: Proce...
Rusia marrë propozime për të zhvilluar një takim mes Putin d...
100-vjetori i themelimit të Klubit të Futbollit Prishtina, K...
LDK shënon 35 vjetorin e themelimit, Abdixhiku: Lidhja ka qe...