Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan shkon javën e ardhshme në shtetet arabe të Gjirit.
Kjo është ndër përpjekjet e tij të fundit për të përmirësuar lidhjet në rajon pas vitesh tensionesh.
Në fillim të këtij muaji, Turqia rivendosi marrëdhënie të plota diplomatike me Egjiptin ndërsa vazhdon përpjekjet e afrimit me Izraelin.
Javën e ardhshme Presidenti Rexhep Tajip Erdogan fillon një turne në shtetet e Gjirit, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, që dikur zoti Erdogan i akuzoi se kërkonin përmbysjen e tij.
Ndërsa ekonomia turke ka nevoja të mëdha për fonde, turneu është hapi i fundit i Ankarasë në përpjekjet për të rivendosur marrëdhënie miqësore në rajon.
Zëri i Amerikës bisedoi me zotin Soli Ozel, profesor për marrëdhëniet ndërkombëtare në Universitetin Kadir Has të Stambollit.
“Vizita e parë e ministrit të ri të ekonomisë, Mehmet Simsek, ishte në vendet e Gjirit. Turqia ka nevojë të madhe për investime të reja në ekonominë e saj. Ka zëra për një marrëveshje investimimi prej 25 miliardë dollarësh”.
Dikur Stambolli ishte qendër e stacioneve televizive satelitore që kundërshtonin regjimet në shtetet e Gjirit dhe në Egjipt, por tani shumica e tyre janë zhdukur.
Këtë muaj Turqia njoftoi rivendosjen e marrëdhëdhieve të plota dimplomatike me Egjiptin.
Marrëdhëniet u ngrinë pasi ushtria egjiptiane largoi aleatin e zotit Erdogan, Mohamed Morsi, dhe e zëvendësoi atë me Presidentin aktual Abdel Fattah el Sisi.
Zoti Sisi nuk gëzon popullaritet në mesin mbështetësve fetarë të Presidentit Erdogan.
Disa analistë thonë se udhëheqësit turk iu desh të priste përfundimin e zgjedhjeve presidenciale për të shtuar përpjekjet e afrimit me Egjiptin.
“Përparësia e Erdoganit në politikën e jashtme është që ta vazhdojë këtë qasje për të cilën ka punuar për një kohë të gjatë. Është punuar në shumë aspekte të rivendosjes së marrëdhënieve miqësore. Tani ka mbetur të zbatohet pjesa zyrtare dhe vizuale e këtij afrimi në formën e vizitave, ndoshta Sisi viziton Ankaranë ose Erdogani viziton Kajron”, thotë për Zërin e Amerikës Jalel Harchaoui, me Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara për Studimet e Mbrojtjes dhe Sigurisë.
Sipas njoftimeve të mediave turke, zoti Sisi mund ta vizitojë Turqinë këtë muaj.
Forcimi i lidhjeve të Turqisë me Egjiptin dhe Lindjen e Mesme më gjerë, po ndihmon gjithashtu në përmirësimin e marrëdhënieve me Izraelin. Presidenti izraelit Isaac Herzog vizitoi Ankaranë vitin e kaluar.
“Filloi me Emiratet e Bashkuara Arabe, pastaj Arabinë Saudite dhe tani me Egjiptin dhe gjithashtu me Sirinë. Është një përpjekje rajonale e Turqisë për të normalizuar marrëdhëniet, çka duket se i jep Ankarasë më shumë besueshmëri dhe ndoshta më shumë qëndrueshmëri”, thotë për Zërin e Amerikës Gallia Lindenstrauss, analiste në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare në Tel Aviv.
Presidenti Erdogan pothuajse ka qënë i heshtur lidhur me sulmet e fundit izraelite ndaj militantëve palestinezë në Bregun Perëndimor, një qëndrim për të cilin disa analistë mendojnë se sinjalizon një vizitë të mundshme në Turqi nga Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu./voa/