Google ADS

Erdogan përjashton nga partia ish-kryeministrin Ahmet Davutoglu

23:55 | 3 Shtator 2019
Trina Galanxhi

Nga aleat në armik, AKP pritet të përjashtojë nga partia ish-kryeministrin dhe kryetarin e partisë, Ahmet Davutoglu. Tezat neo-osmane të tij janë ende në themel të politikës së jashtme të Turqisë.

Qëndrimi kritik ndaj kreut të shtetit turk mund të ketë pasoja: sipas mediave, partia AKP e Rexhep Taip Erdoganit po punon që ta përjashtojë nga partia ish-kryeministrin turk Ahmet Davutoglu. Kjo u vendos në kryesinë e partisë, nën drejtimin e Erdoganit të hënën, raporton gazeta “Hürriyet”.

Kohët e fundit Davutoglu është shprehur në mënyrë gjithnjë e më kritike për AKP-në nën Erdoganin. Ai e ka kritikuar partinë se po largohet gjithnjë e më shumë nga parimet e saj bazë. Ndër të tjera, ai kritikoi vendimin e Erdoganit, për përsëritjen e zgjedhjeve për kryetar bashkie në Stamboll në mars. AKP-ja i humbi zgjedhjet.

Në përsëritjen e imponuar të zgjedhjeve në qershor, kandidati i AKP-së u mund përsëri nga kandidati i opozitës Ekrem Imamoglu. Davutoglu kritikoi gjithashtu shkarkimin e disa kryetarëve prokurdë të bashkive në Turqinë lindore. Erdogani ka deklaruar vazhdimisht se nuk dëshiron të tolerojë “tradhëtarë” në parti. Si të tillë, ai tani duket se shikon ish-bashkëluftëtarin e tij.

Në Turqi ka kohë që spekulohet se Davutoglu dëshiron të krijojë një parti të re. Kohët e fundit, sipas mediave turke, planet janë bërë më konkrete. Edhe ish-zëvendëskryeministri Ali Babacan dhe ish-Presidenti Abdullah Gyl thuhet se kanë plane për të themeluar partitë e tyre.

Sidomos në vitin 2016, në postin e shefit të AKP-së dhe të kryeministrit, Davutoglu u përpoq të vendoste thekse të tijat politike. Ndër të tjera, ai kundërshtoi ndryshimin e kushtetutës nga Erdogani, për të ngritur sistemin presidencial. Udhëheqja e AKP-së i kufizoi pas kësaj kompetencat e kryeministrit të atëhershëm. Pak pas kësaj, Davutoglu dha dorëheqjen.

Ish-kryeministri e ka ndikuar për vite më radhë politikën e Turqisë. Qasja e tij neo-osmane është edhe sot në themel të politikës së jashtme të Turqisë. Në vija të përgjithshme, kjo qasje synon lidhjen e vendeve islamike dhe epërsinë e Turqisë. Davutoglu gjithashtu e mbështeti dhe e zbatoi për vite më radhë dobësimin e demokracisë nga Erdogani.

Në mosmarrëveshje me Erdoganin, nga AKP janë larguar edhe ish-anëtarë të tjerë të rangut të lartë të partisë, përfshirë ish-Presidentin Gül dhe ish-zëvendëskryeministrin Babacan. Të dy kanë qenë anëtarë themelues të AKP-së, shkruan DW.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme