Embargoja e Turqisë ndaj tregtisë me Izraelin është vënë në qendër të vëmendjes mes pretendimeve të opozitës se ajo po shkelet vazhdimisht. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës në Stamboll, Dorian Jones, akuzat po bëhen ndërsa Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan bën përpjekje të luajë një rol qendror në përpjekjet për të ndalur luftën e Izraelit ndaj Hamasit.
Protestat kundër tregtisë me Izraelin po vazhdojnë në të gjithë Turqinë.
Partitë opozitare po publikojnë pa ndërprerë imazhe në rrjetet sociale që dënojnë tregtinë me Izraelin dhe fajësojnë Presidentin turk Erdogan.
Demonstratat po mbahen pavarësisht shifrave zyrtare që tregojnë se tregtia dypalëshe prej shtatë miliardë dollarësh ka rënë në zero. Zoti Erdogan vendosi një embargo tregtare ndaj Izraelit në muajin maj. Por analistët thonë se tregtia po vazhdon përmes palëve të treta.
“Ne duhet të kuptojmë se një pjesë e kësaj tregtie do të vazhdojë. Ajo do të devijohet drejt vendeve të treta dhe tregtia do të ndjekë këtë rrugë”, thotë Sinan Ulgen nga Qendra për Ekonomi dhe Studime të Politikës së Jashtme.
Rrjeti turk i lajmeve Evrensel ka zbuluar se pavarësisht se kompanitë turke kanë regjistruar zero eksporte drejt Izraelit, eksportet e tyre për në territoritet palestineze janë rritur 1000 %.
Shtypi izraelit gjithashtu ka zbuluar se grupi më i madh turk i biznesit ka aksione në një kompani energjetike që furnizon ushtrinë izraelite. Kompania Zorlu ka njoftuar se do të fillojë heqjen e investimeve nga Izraeli.
Analistët thonë se tregtia që po vazhdon zbulon se sa e vështirë është për partinë e zotit Erdogan, AKP që të zbatojë embargon e plotë.
“Ka shumë lidhje ekonomike, lidhje të ngushta në mes të qarqeve të biznesit të lidhura me AKP-në dhe bizneset izraelite. Kjo ka shumë gjasa të jetë arsyeja pse ky qëndrim hipokrit po vazhdon”, thotë Soli Ozel nga Universiteti Kadir Has, në Stamboll.
Embargoja turke megjithatë ka filluar të shfaqë pasojat sipas shtypi izraelit. Bllokada tanimë ka rritur çmimin e frutave dhe perimeve, të cilat më parë importoheshin nga Turqia.
“Embargoja po funksionon. Pavarësisht që disa gjëra sigurohen përmes vendeve të treta dhe disa mallra shkojnë tek autoriteti palestinez dhe nga atje, përmes tregtarëve ambulantë futen në Izrael. Megjithatë, ka patur një rënie të madhe të tregtisë”, thotë Gallia Linderstrauss nga Instituti i Studimeve të Sigurisë Kombëtare në Tel Aviv.
Udhëheqësi i Autoritetit Palestinez Mahmud Abaz gjatë këtij muaji e vlerësoi zotin Erdogan për qëndrimin e tij ndaj Izraelit, ndërsa ishte për vizitë në Turqi.
Megjithatë, partitë konservatore islamiste vazhdojnë të vënë në shënjestër zotin Erdogan duke vënë theksin tek vazhdimi i tregtisë me Izraelin. Analistët paralajmërojnë se Presidenti mund të paguajë një çmim të lartë.
“Nga këndvështrimi i zgjedhjeve, nëse merr parasysh sondazhet, qëndrimi ndaj Izraelit i ka shkuar për shtat më shumë kundërshtarëve të zotit Erdogan”, thotë Soli Ozel,
Ndërsa vazhdon lufta e Izraelit ndaj Hamasit, protestat në Turqi kundër tregtisë me Izraelin me gjasë do të vazhdojnë të vënë në shënjestër Presidentin Erdogan, gjë që sipas analistëve nuk do ta ndihmojë partinë e tij AKP e cila nuk ka dalë mirë në sondazhe./VOA/
Kulla e Vashës, ishulli i vogël që lidh dy kontinente prej 2...
Çfarë ndodh nëse e mbani klimën lëshuar gjatë gjithë ditës?
OpenAI zbulon modele të reja me Inteligjencë Artificiale
Kurti: Synimi ynë është që edhe Kosova të marrë pjesë në Eur...
“Çfarëdo që vendosim tani do llogaritet si lojë”, Sara dhe D...
Policia me njoftim për disa gjoba në rajonin e Prishtinës