Erdogan: Organizatave terroriste u është pamundësuar veprimtaria në Turqi

22:56 | 13 Janar 2018
Trina Galanxhi

Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, gjatë qëndrimit të sotëm në qytetin turk Elazığ, tha se pamundësimi që u është bërë organizatave terroriste të veprojnë përbrenda shtetit, ka bërë që organizatat të bëjnë përpjekje për formimin e një korridori terrorist në kufirin jugor të Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Kur e bëmë organizatën terroriste të paaftë për të vepruar në vendin tonë, këtë herë u ballafaquam me një përpjekje për të krijuar një korridor terrorist në të gjithë kufijtë tanë jugorë. Me Operacionin Mburoja e Eufratit, ne e goditëm një natë befas këtë korridor. Tani, me operacionin Idlib, po e shkatërrojmë krahun perëndimor të këtij korridori. Nëse terroristët në Afrin nuk dorëzohen, ne do ti shkatërrojmë”, është shprehur Erdoğan, gjatë një fjalimi në kongresin e 6-të të zakonshëm të AK Partisë në Elazığ.

Pasi ka theksuar se historia e luftës së Turqisë kundër terrorizmit, në të njëjtën kohë është edhe histori e luftës për mbrojtjen politike, ekonomike dhe të pavarësisë, Erdoğan ka theksuar: “Në dy shekujt e fundit, atje ku ka një ngjarje terrorizmi, një trazirë, një kaos, atje me patjetër ka përllogaritje, kurthe, interesa të caktuara të disa fuqive”.

Presidenti i Turqisë ka shtuar se me mësimin e marrë nga e kaluara 34 vjeçare në luftën kundër terrorizmit kanë ndjekur një politikë aktive në Siri, Irak dhe përgjatë gjithë vijës kufitare.

“Kemi marrë vendimin që kërcënimet kundrejt vendit tonë t’i përcaktojmë dhe t’i eliminojmë drejtpërdrejtë në burim dhe jo në dyert e stacioneve policore, në rrugët e qyteteve dhe brenda jetës së përditshme të qytetarëve tanë. Nëse terroristët në Afrin nuk dorëzohen, ne do ti shkatërrojmë. Nëse fjalët që na janë dhënë në Munbixh nuk mbahen, ne do ta zgjidhim vetë këtë punë. Ne do të vazhdojmë luftën tonë derisa të mos mbetet as edhe një terrorist i vetëm përgjatë kufijve tanë deri në Irak. Edhe njëherë i bëj thirrje aleatit tonë që mbështet organizatën terroriste në Siri. Vetëm për vitin 2017 Amerika i ka dërguar 4.900 maune me armë e municione organizatës terroriste në Siri. Turqia këto i ndjek hap pas hapi. Nuk është e mundur një aleancë e tillë, një solidarizim i tillë strategjik”, tha Erdoğan./aa/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme