Erdogan: Në Afrin janë çliruar 950 kilometra katrorë territor

21:49 | 11 Mars 2018
Trina Galanxhi

Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan deklaroi të dielën se Forcat e Armatosura të Turqisë (TSK) që nga fillimi i operacionit “Dega e Ullirit”, kanë çliruar nga terroristët e YPG/PKK-DEASH, 950 kilometra katrorë të territorit sirian në rajonin kufitar të Afrinit, raporton Anadolu Agency (AA).

“Operacioni në Afrin nuk është i natyrës pushtuese por ka për qëllim të çlirojë zonat nga terroristët e YPG/PKK dhe DEASH dhe të njëjtat t’ua kthejë banorëve lokal”, tha Erdoğan në kongresin e sotëm të zakonshëm të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) që po mbahet në provincën Bolu.

Ai tha se që nga fillimi i operacionit në Afrin janë neutralizuar 3.300 terroristë dhe se banorët lokal tashmë kanë filluar të kthehen në zonat e çliruara të Sirisë.

Erdoğan rikujtoi se Turqia ndan me Sirinë një vijë kufitare prej 911 kilometra, siguria e së cilës rrezikohet nga organizatat terroriste dhe regjimi sirian.

Presidenti turk adresoi kritika të ashpra në llogari të NATO-s, nga shkaku i pasivitetit të saj në raport me kërcënimet ndaj Turqisë në aspektin e sigurisë.

“Kur e ka ndërmend NATO të vihet në anën e Turqisë, lidhur me të gjitha zhvillimet në Siri dhe rajon?”, tha ai.

Muajin e kaluar Turqia shënoi 65 vjetorin e anëtarësimit në NATO, e cila çdo sulm mbi një anëtare të saj duhet ta trajtojë si sulm të Aleancës në tërësi. Kufiri jugor i Turqisë është njëherësh kufiri i jashtëm i NATO-s, por Aleanca nuk përkrahu Turqinë pas sulmeve të shumta raketore në territorin e saj nga Siria.

Operacioni “Dega e Ullirit” ka filluar më 20 janar të këtij viti nga TSK dhe Ushtria e Lirë Siriane me qëllim për të vendosur siguri dhe stabilitet përgjatë kufijve të Turqisë dhe rajonit si dhe për të mbrojtur sirianët nga shtypja dhe mizoria e terroristëve.

Shtabi i Përgjithshëm tha se vetëm sot janë çliruar 14 lokalitete në drejtim të Afrinit./AA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme