Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan mezi pret të takohet me Presidentin Donald Trump për t’i dhënë fund krizës së përshkallëzuar pas blerjes nga Ankaraja të raketave S-400 nga Rusia. Takimi i pritur, në periferi të samitit të G20 në Osaka, të Japonisë shihet si shansi i fundit për të shmangur një thyerje në marrëdhëniet mes dy aleatëve të NATO-s.
“Takimi i presidentëve është një pikë kthese”, tha ish diplomati i lartë turk Aydin Selcen i cili ka shërbyer në Uashington. “Ka një afat kohor, për herë të parë kemi një datë të kryerjes së porosisë deri në fund të korrikut dhe sanksionet nga Uashingtoni janë gati të hyjnë. Ato janë konkrete, janë të gatshme”.
Zoti Erdogan po minimizon kërcënimin e sanksioneve, “Nuk e di çdo të ndodh nëse vendet e NATO-s fillojnë të vendosin sanksione mbi njëri-tjetrin. Nuk kam krijuar këtë përshtypje gjatë kontakteve të mia me Trump-in”, tha zoti Erdogan të mërkurën për gazetarët përpara se të nisej për në Japoni.
Presidenti Erdogan pret që ta zgjidh çështjen me presidentin Trump. “Besoj se takimi im me Presidentin Trump gjatë samitit të G-20 do të jetë i rëndësishëm për eliminimin e ngërçit në marrëdhëniet tona dypalëshe dhe forcimin e bashkëpunimit tonë”, tha Erdogani për gazetën Nikkei Asian Review, në një intervistë të botuar të mërkurën.
Uashingtoni thotë se raketat e avancuara S-400 kërcënojnë të komprometojnë sistemet e mbrojtjes së NATO-s, veçanërisht avionit e fundit luftarak F-35 të Shteteve të Bashkuara. Ankaraja përballet me përjashtimin nga konsorciumi për ndërtimin e avionëve F-35 që kërkon të blejë nga Shtetet e Bashkuara.
Hapi i parë i sanksioneve amerikane për blerjen nga Turqia të raketave ruse S-400 ishte përjashtimi i pilotëve turq këtë muaj nga trajnimi për avionin e përparuar amerikan F-35.
Presidenti Erdogan po shpreson tek marrëdhëniet e tij me presidentin Trump për t’i dhënë fund ngërçit. “Po, zoti Erdogan thuhet se është një nga udhëheqësit më të preferuar të zotit Trump në botë”, thotë diplomati Selcen, i cili tani është analist rajonal. “Por pastaj në çështje të ndryshme, çfarë thotë zoti Trump në telefon ose bisedime dypalëshe, jo domosdoshmërisht përputhet me atë që ndodh në terren,” shton ai.
Megjithatë, sekretari amerikan i mbrojtjes në detyrë, Mark Esper, paralajmëroi homologun e tij turk, Hulusi Akar, për pasojat e blerjes së raketave S-400.
“Nëse ata pranojnë raketat S-400, ata duhet të pranojnë pasojat jo vetëm për programin e avionëve F-35, por edhe për gjendjen e tyre ekonomike”, tha një zyrtar amerikan duke folur me kusht anonimiteti pas një takimi të ministrave të mbrojtjes në periferi të një takimi të NATO-s në Bruksel.
Kongresi amerikan po kërcënon të godasë Turqinë me një numër sanksionesh ekonomike në kuadrin e Aktit për Sanksione Anti-Amerikane të Tregëtisë (CAATSA).
Presidenti Trump ka fuqinë të bllokojë disa nga sanksionet, por eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Soli Ozel me Universitetin Kadir Has të Stambollit vë në pikëpyetje nëse presidenti Trump do të ishte i gatshëm të përdorte kapital të çmuar politik për të mbrojtur Ankaranë.
“Po, Trumpi mund t’i kundërvihet Kongresit,” thotë zoti Ozel, “por kjo zakonisht ndodh kur partia republikane është tërësisht pas tij. Megjithatë, kur bëhet fjalë për Turqinë dhe avionët S-400 dhe F-35, republikanët në Kongres nuk janë as me të, as me Pentagonin”.
Presidenti Erdogan po ashtu do të takohet me Presidentin rus Vladimir Putin në samitin e G20. Takimi mund të jetë një mundësi për presidentin turk të kërkojë një rrugëdalje nga blerja e raketave S-400 pa dëmtuar lidhjet me Moskën. Me të dyja vendet që ndajnë një gamë të gjerë interesash ekonomike dhe rajonale, analistët thonë se ka vend për një marrëveshje të mundshme.
“Putini është çelësi i një zgjidhjeje. Marrëveshja për raketat S-400 është si një lloj martese nga e cila vetëm ai mund ta lirojë Erdoganin “, thotë profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Husein Bagçi i Universitetit Teknik të Lindjes së Mesme në Ankara.
Megjithatë, politika e brendshme turke mund të jetë një pengesë e re për të çuar në tërheqjen e Erdoganit. Presidenti turk është i shqetësuar nga një humbje e thellë e kandidatit të tij në zgjedhjet vendimtare për kryebashkiakun e Stambollit të dielën.
Në fjalimin e parë të Erdoganit që nga humbja në Stamboll, ai luajti kartën nacionaliste, duke nënvizuar se blerja e raketave ishte më shumë se vetëm një çështje e mbrojtjes. “Çështja e raketave S-400 është një çështje që lidhet drejtpërdrejt me sovranitetin tonë dhe ne nuk do të largohemi nga kjo,” u tha ai deputetëve të tij parlamentarë.
Partneri i koalicionit parlamentar të Erdoganit e mbështeti pozitën e tij. “Turqia është në udhëkryq. Ose u nënshtrohemi këtyre kërcënimeve dhe humbasim nderin tonë, ose marrim raketat S-400 dhe i dislokojmë ato në vende të caktuara,” tha të mërkurën kreu i MHP-së, Devlet Bahceli.
“Kam frikë se kjo është bërë çështje e nderit për të dy palët (Turqinë dhe SHBA), duke e bërë kompromisin të vështirë”, thotë zoti Bagci. “Në fund të ditës nuk do të ketë fitues. Turqia do të ketë probleme ekonomike, dhe ky është çmimi që Turqia është e gatshme të paguajë. Është e rëndësishme të kuptohet psikologjia turke.Ky është një vend me një të kaluar perandorake dhe nuk do të diktohet”. /voa
Xheneta- Gjestit: A të kujtohet puthja jonë e parë?
Salah i lumtur që futet në historinë e Liverpoolit
Sot nënshkruhen marrëveshjet për certifikim të produkteve
Putin takohet me kryeministrin sllovak në Moskë, bisedojnë p...
Ministria e Bujqësisë në Shqipëri: Mbi 85% e mandarinave pa ...
Aksident në mes dy automjeteve në Klinë