Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e mbrojti vendimin e vendit të tij për t’u tërhequr nga Konventa e Stambollit – një traktat ndërkombëtar për parandalimin e dhunës ndaj grave.
Turqia u tërhoq nga ky traktat të enjten, një dekadë pasi e nënshkroi.
“Disa qarqe po përpiqen ta portretizojnë tërheqjen tonë nga Konventa e Stambollit si një hap prapa në luftën tonë kundër dhunës ndaj grave”, tha Erdogan gjatë një fjalimi në Ankara.
“Beteja jonë nuk ka filluar me Konventën e Stambollit dhe nuk do të përfundojë me tërheqjen tonë nga traktati”, tha ai.
Erdogan shpalli të enjten një plan alternativ veprimi për luftimin e dhunës ndaj grave, i cili përfshin qëllime të tilla si: rishikimi i proceseve gjyqësore, përmirësimi i shërbimeve të mbrojtjes dhe mbledhja e të dhënave për dhunën.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, tha se tërheqja e Turqisë nga Konventa e Stambollit është “thellësisht zhgënjyese” dhe një hap prapa në përpjekjet ndërkombëtare për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave.
I njohur zyrtarisht si Konventa e Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, traktati thotë se burrat dhe gratë kanë të drejta të barabarta dhe i detyron autoritetet shtetërore të ndërmarrin hapa për të parandaluar dhunën me bazë gjinore, për të mbrojtur viktimat dhe për të ndjekur penalisht kryesit.
Presidenca turke ka lëshuar një deklaratë në muajin mars, duke thënë se Konventa e Stambollit është “rrëmbyer” nga ata që “përpiqen ta normalizojnë homoseksualitetin, i cili është i papajtueshëm me vlerat shoqërore dhe familjare të Turqisë”.
Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International, tha se vendimi i Turqisë për t’u tërhequr nga Konventa është “i turpshëm”.
Vendimi shkaktoi protesta të enjten në disa qytete të Turqisë./rel/
MMPHI: Të gjitha rrugët që mirëmbahen nga ne janë të kaluesh...
Kurti: Prokuroria ka intervistuar kryeministra edhe më herët...
Kurti: Radoiçiq ka caktuar dy persona për të realizuar sulme...
Edmond Lajqi pranon fajësinë për vrasjen e gruas: I kërkoj f...
Plagoset me thikë 50-vjeçari shqiptar në Athinë, 4 autorët l...
Kurti komenton moscertifikimin e Listës Serbe