Erdoğan: KS-OKB duhet të reformohet në përputhje me drejtësinë

19:10 | 24 Shtator 2019
Arbresh.info

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e 74-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), potencoi se Këshilli i Sigurimit i OKB-së duhet të reformohet menjëherë në përputhje me drejtësinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan u shpreh se fati i njerëzimit nuk mund të lihet në duart e vetëm disa vendeve.

“Nuk mund ta lëmë fatin e njerëzimit në duar të vetëm disa vendeve. Theksoj edhe një herë, bota është më e madhe se pesë”, deklaroi Erdoğan.

Duke iu referuar çështjes së Sirisë, presidenti turk theksoi se vendi i tij strehon 5 milionë refugjatë të ikur nga konfliktet, uria dhe persekutimi, siç tha ai, “më shumë se popullsia e 29 shteteve amerikane”.

“Bota shpejt e harroi foshnjën Alan. Të mos harrojmë se e njëjta gjë mund t’ju ndodhë edhe juve një ditë”, tha Erdoğan, duke folur për refugjatin 3-vjeçar Alan Kurdit, i cili para disa viteve u soll nga valët në bregdetin Mesdheut në Bodrum të Turqisë.

Sipas presidentit Erdoğan, për çështjen e Sirisë nuk mund të gjendet zgjidhje permanente përderisa të gjitha organizatat terroriste nuk trajtohen njësoj.

“Ftoj gjithë botën të ndërmarrë nismën për të ndaluar krizën humanitare në Siri dhe të mbështesë përpjekjet tona”, apeloi ai.

Më tej, Erdoğan theksoi se ka nevojë që marrëveshja globale e migracionit dhe marrëveshja globale për refugjatët të zbatohen në mënyrë efektive.

“Turqia në vitin 2019 nga mbytja në det shpëtoi 32 mijë migrantë të parregullt dhe riatdhesoi 58 mijë, duke mos përfshirë sirianët”, u shpreh Erdoğan.

Presidenti turk po ashtu foli edhe për çështjen e Palestinës, duke theksuar se, “Padrejtësia në Palestinë mbizotëron. Pamjet e grave të pafajshme duke u vrarë mizorisht në rrugë nga Izraeli duhet të zgjojnë ndërgjegjen”.

Ndërkohë, për konfliktin në rajonin Xhamu dhe Kashmir të administruar nga India, tha se, “Konflikti në Kashmir që pret zgjidhje që 72 vite, duhet të zgjidhet përmes dialogut në bazë të drejtësisë dhe barazisë”.

Presidenti turk po ashtu tha se vendi i tij kërkon nga OKB-ja të caktojë 15 marsin, sulmin e kryer në Christchurch, si Dita Ndërkombëtare e Solidaritetit kundër Islamofobisë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme