Google ADS

Erdogan: Kontaktet me homologët ukrainas dhe rus po shkojnë mirë

22:41 | 28 Mars 2022
Trina Galanxhi

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka bërë të ditur se bisedat telefonike me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelenskyy dhe atë rus, Vladimir Putin, po vazhdojnë në “drejtim të favorshëm”, raporton Anadolu Agency (AA).

“Mund të them se telefonatat që kemi zhvilluar me zotin Putin dhe zotin Zelenskyy po shkojnë në drejtim të favorshëm”, tha presidenti Erdoğan në një konferencë për media pas një takimi të kabinetit në kompleksin presidencial.

Erdoğan njoftoi se para raundit të ri të bisedimeve të paqes midis Ukrainës dhe Rusisë, që do të zhvillohet nesër në Stamboll, zyrtarët turq do të ulen me të dyja palët për një “takim të shkurtër”.

Delegacionet nga Rusia dhe Ukraina nesër do të mblidhen në Stamboll pasi lufta ruse kundër Ukrainës ka vazhduar për më shumë se një muaj.

Bisedimet dy-ditore të paqes, që do të mbahen në zyrën presidenciale në Dolmabahçe, do të fillojnë në orën 10:30 sipas kohës lokale.

Disa raunde të bisedimeve midis Rusisë dhe Ukrainës janë mbajtur në Bjellorusi dhe raundi i fundit u mbajt përmes video-konferencës më 14 mars, por deri më tani kanë dështuar për të arritur ndonjë përparimin midis palëve.

Më 10 mars, Turqia ishte në titull të mbarë botës për pritjen e shefave të diplomacisë ruse dhe ukrainase në qytetin jugor Antalya, takim i nivelit më të lartë të të dy palëve që nga fillimi i luftës më 24 shkurt.

Edhe pse palët nuk arritën një marrëveshje për një armëpushim, ata ranë dakord të vazhdonin negociatat mbi konfliktin

Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës është përballur me dënime ndërkombëtare, me Bashkimin Evropian (BE), SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar, ndër të tjera, që zbatojnë sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.

Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara (OKB), të paktën 1.151 civilë janë vrarë dhe rreth 1.800 të tjerë janë plagosur që kur Rusia filloi luftën kundër Ukrainës më 24 shkurt, por theksohet se shifra e vërtetë e viktimave është shumë më e lartë.

Agjencia e OKB-së për Refugjatë (UNHCR) njofton se po ashtu mbi 3.8 milionë refugjatë ukrainas kanë ikur në vendet fqinje, ndërkohë me miliona të tjerë janë zhvendosur brenda vendit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme