Turqia nënshkroi Konventën e Stambollit për mbrojtjen e grave nga abuzimi në familje në vitin 2011.
Këshilli i Shtetit i Turqisë vendosi të martën se presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan kishte të drejtë të anulonte në mënyrë të njëanshme anëtarësimin e vendit në Konventën e Stambollit kundër dhunës me bazë gjinore.
Ankaraja u tërhoq nga konventa evropiane që mbronte gratë nga abuzimi në familje me një dekret brenda natës korrikun e kaluar, pavarësisht se Turqia ishte vendi i parë që e nënshkroi atë në vitin 2011. Masa u kritikua gjerësisht nga grupet e të drejtave të njeriut dhe zyrtarët perëndimorë.
Kundërshtarët e të parit të shtetit turk argumentuan se ai nuk kishte fuqi ligjore për të anuluar anëtarësimin, raporton aljazeera.
Megjithatë, gjykata më e lartë e vendit nxori një vendim prej 40 faqesh duke hedhur poshtë një kërkesë për të rrëzuar vendimin e presidentit.
“Është e tmerrshme nga një këndvështrim ligjor”, u citua të thoshte Ipek Bozkurt, një avokate që përfaqëson organizatën e të drejtave “Ne do të Ndalojmë”. “Ky vendim i gabuar duhej të ndalohej nga gjykata”, shtoi ajo.
Dokumenti, i cili u nënshkrua nga 46 vende dhe Bashkimi Evropian, kërkon që shtetet anëtare të miratojnë legjislacionin e brendshëm për parandalimin e dhunës ndaj grave.
Qeveria konservatore e Erdoganit u akuzua për goditjen e të drejtave të grave dhe shtypjen e komunitetit LGBT+ me dhjetëra njerëz të arrestuar në marshimet e Krenarisë në Stamboll dhe Ankara, pavarësisht se homoseksualiteti nuk ishte i ndaluar ligjërisht në Turqi. /Telegrafi/
Kryesia e Kuvendit mblidhet të hënën, ky është rendi i ditës
‘Kevin, të dua shumë’ – Ana i dërgon mesazh nga jashtë
Izraeli godet me raketa një ndërtesë në Bejrut, të paktën 4 ...
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë...
Trump zgjedh financierin Scott Bessent për Sekretar të Thesa...
Horoskopi, parashikimi i yjeve për fundjavën