Google ADS

Erdoğan e Putin arrijnë marrëveshje historike për Sirinë

20:49 | 22 Tetor 2019
Arbresh.info

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, pas takimit me homologun e tij rus, Vladimir Putin, ka bërë të ditur se Ankaraja dhe Moska kanë arritur “marrëveshjen historike” mbi Sirinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan theksoi se Ankaraja dhe Moska kanë arritur “marrëveshjen historike” për të garantuar integritetin territorial dhe unitetin politik të Sirisë, si dhe për luftën kundër terrorizmit në këtë vend.

Sipas marrëveshjes, duke filluar nga ora 12 e mesditës së nesërme, 23 tetor, policia ushtarake ruse dhe rojet kufitare siriane do të hyjnë në anën siriane të kufirit turko-sirian, jashtë zonës së operacionit “Burimi i Paqes”, me qëllim për të lehtësuar nxjerrjen e elementëve të YPG/PKK-së dhe armëve të tyre 30 kilometra larg kufirit të Turqisë në veri të Sirisë. Marrëveshja duhet të finalizohet brenda 150 orëve.

Operacioni “Burimi i Paqes” nisi më 9 tetor për të eliminuar terroristët nga Siria veriore, për të siguruar kufijtë e Turqisë, për të ndihmuar kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë, si dhe për të garantuar integritetin territorial të Sirisë.

Marrëveshje mbi Sirinë mes Turqisë dhe Rusisë erdhi pasi presidenti Erdoğan realizoi një vizitë pune në qytetin bregdetar rus Soçi për të takuar homologun e tij rus për të diskutuar mbi Sirinë dhe operacionin “Burimi i Paqes”.

“Të gjithë terroristët e YPG-së me armët e tyre do të nxirren nga qytetet siriane Tal-Rifat dhe Munbixh”, tha Erdoğan në konferencën e përbashkët për media me presidentin rus, duke shtuar se Turqia dhe Rusia nuk do të lejojnë asnjë ‘axhendë separatiste’ në Siri.

Turqia dhe Rusia do të fillojnë përpjekjet e përbashkëta për të lehtësuar kthimin e refugjatëve në një mënyrë “të sigurt dhe vullnetare”.

Presidenti turk tha se Turqia dhe Rusia do të formojnë një mekanizëm të përbashkët për të vëzhguar marrëveshjen mbi Sirinë dhe koordinimin e saj.

Erdoğan foli edhe për një Komitet Kushtetues Sirian, për të cilin ai theksoi se Turqia pret që ky komitet të çojë në ‘tranzicion politik’ gjithëpërfshirës në Siri.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme