Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, do ta vizitojë Ukrainën të enjten, më 3 shkurt. Ai do të takohet me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, takim që ka për qëllim uljen e tensioneve midis Kievit dhe Rusisë, tha një zyrtar turk.
Ankaraja ka raporte të mira edhe me Kievin dhe Moskën, por kundërshton politikat ruse në Siri dhe Libi. Po ashtu, ka kundërshtuar aneksimin nga Rusia të Gadishullit ukrainas të Krimesë më 2014.
Përderisa ka zhvilluar bashkëpunim me Rusinë në fushën e mbrojtjes dhe energjisë, Ankaraja po ashtu i ka shitur Ukrainës dronë të sofistikuar, duke e zemëruar Moskën.
“Erdogan do t’i përcjellë mesazhe Zelenskiyt për ruajtjen e paqes në rajon dhe parandalimin e rritjes së tensioneve dhe shpërthimit të ndonjë konflikti”, tha ky zyrtar të hënën.
Erdogan po ashtu ka ftuar presidentin rus, Vladimir Putin, që ta vizitojë Turqinë pas Lojërave Dimërore Olimpike, që do të mbahen në Kinë nga 4 deri më 20 shkurt.
“Ne presim që këto dy takime të jenë efektive në uljen e tensioneve midis Rusisë dhe Ukrainës”, tha zyrtari turk, që foli në kushte anonimiteti.
Javën e kaluar, Erdogan tha se nuk do të ishte veprim i mençur nëse Rusia e sulmon Ukrainën dhe nëse ndodh një gjë e tillë, Turqia, si anëtare e NATO-s do të bënte atë që ishte e nevojshme.
Rusia ka grumbulluar mbi 100,000 trupa përgjatë kufirit me Ukrainën. Perëndimi ka thënë se Moska mund të jetë duke u përgatitur që ta sulmojë Kievin, por Moska mohon se ka plane të tilla./Rel/
Hamza shpreh mirënjohje për gazetarët: Një media e lirë ësht...
Hovenier përfundon mandatin: Po largohem si një mik i fortë ...
KOSTT: Nuk ka mungesë të energjisë elektrike, ka vetëm ngark...
Gjendet pa shenja jetë një grua në Shtërpcë
Vrasja e Gjyljeta Ukellës, Edmond Lajçi dënohet me burgim të...
Vendoset gurthemeli i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjar...