Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka akuzuar Bashkimin Evropian se po distancohet nga Turqia.
Përpjekjet e Ankarasë për anëtarësim në bllokun evropian kanë ngecur pas kritikave për përpjekjet e Turqisë për të adresuar shqetësimet për demokracinë dhe sundimin e ligjit.
Erdogan kishte marrë një premtim nga Brukseli se bisedimet për anëtarësim – që fillimisht kishin nisur më 2005 – do të ringjalleshin, në këmbim të heqjes së bllokadës së Ankarasë për pranimin e Suedisë në NATO.
Më herët gjatë këtij muaji, komisionari i BE-së për Zgjerim, Oliver Varhelyi, vizitoi Turqinë.
Gjatë kësaj vizite ai tha se përderisa anëtarësimi ka “një potencial të madh”, blloku evropian kërkon që të shohë veprime të Turqisë sa i përket çështjes së të drejtave të njeriut para se të rinisin bisedimet.
“BE-ja po tenton ta distancojë veten nga ne”, tha Erdogan për gazetarët në Stamboll, teksa u nis për në Nju Jork, ku do të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
“Ne do të bëjmë vlerësimin e situatës dhe ne po ashtu mund të marrim një drejtim tjetër”, tha ai.
Erdogan pasi fitoi zgjedhjet presidenciale në maj, vendosi si prioritet përmirësimin e raporteve me aleatët perëndimorë.
Raportet mes Perëndimit dhe Turqisë u përkeqësuan pasi Qeveria turke nisi një shtypje pas një puçi të dështuar ushtarak më 2016, duke nxitur akuza për shkelje të të drejtave të njeriut.
Gjatë vizitës së tij në Turqi, Varhelyi tha se “ka kritere shumë të qarta që janë vendosur nga Këshilli Evropian, të cilat do të duhet të adresohen”.
“Këto kritere janë të lidhura me demokracinë dhe sundimin e ligjit”, tha ai.
Turqia kishte aplikuar për anëtarësim në BE më 1999, por bisedimet për anëtarësim nisën më 2005.
Por, këto bisedime janë ngrirë që nga viti 2018 dhe Parlamenti Evropian ka thënë se ngrirja e bisedimeve ka ndodhur për shkak të “ngecjeve në demokraci”./REL/
Gjykata Kushtetuese merr vendim për Berishën
Pacolli të shtunën takim humanitar në Gjermani
Mbappe nuk do të jetë më kapiten i Francës? – gazeta L’Equip...
Kurti mirëpriti në takim lamtumirës Ambasadorin e Bullgarisë...
Dy të plagosurit në Vranjevc po i ruan policia në QKUK, u ca...
Shtyhet seanca ndaj Kobrës, seancën e radhës pritet të dëgjo...