Emigrantët në Itali, Conte: Franca dhe Malta pranojnë 100 nga 450

22:28 | 15 Korrik 2018
Trina Galanxhi

Ndërkohë që dy anije me 450 emigrantë në bord janë ende në pritje të udhëzimeve, kryeministri italian, Giuseppe Conte ka lançcuar një apel drejtuar Europës.

“Italia, – shkruan ai, – nuk do të vazhdojë të mbajë e vetme mbi shpinë barrën e emigrantëve”.

Apel ky, që sipas kryeministrit është dëgjuar nga Malta dhe Franca, të cilat do të marrin përgjegjësinë, secila për 50 emigrantë.

Kryeministri italian, në letrën dërguar presidentit të Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker dhe presidentit të Këshillit të BE-së, Donald Tusk, por edhe udhëheqësve të tjerë europianë, kërkon aplikimin e menjëhershëm të parimeve europiane të mbështetura edhe në Këshillin e fundit europian, në fund të gushtit, pasi Italia nuk mundet më e vetme dhe e izoluar të mbajë barrën e një problemi që i përket të gjithë Europës.

Një mesazh ky që është pasuar nga një reagim, duke parë që Franca dhe Malta, sipas Contes, janë shprehur të gatshme të presin 100 nga 450 emigrantët që pritet të zbarkojnë në Itali.

Janë rreth 450 persona në bordin e një anijeje të nisur nga brigjet libiane, e që më herët kanë hyrë në ujërat malteze, por autoritetet malteze nuk i kanë lejuar të hyjnë në port. Pas hyrjes në ujërat italiane, ata janë shpëtuar nga njësitë e “Guardia di Finanza”-s dhe një patrulluesi britanik në dispozicion të “Frontex”-it./tch/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme