Punonjësit e rrjetit social “Twitter” po përballen me largimeve masive nga puna, ndërsa pronari i ri, Elon Musk po rinovon platformën sociale.
Në një letër drejtuar punonjësve, që është parë nga media të shumta, kompania tha se punonjësit do të njoftoheshin të premten nëse ishin pushuar nga puna, apo jo. Posta elektronike nuk thoshte se sa njerëz do të humbnin punën.
Disa punonjës shkruan në “Twitter” mëngjesin e së premtes, se kishin humbur qasjen në sistemin e brendshëm të punës.
Posta elektronike dërguar stafit theksonte se shkurtimet e vendeve të punës ishin “të nevojshme për të garantuar suksesin e kompanisë”.
Rreth 7,500 punonjës të “Twitter-it” kanë pritur largimin nga puna që kur zoti Musk mori drejtimin e kompanisë. Miliarderi, që është pronar edhe i kompanisë “Tesla”, ka shkarkuar drejtuesit kryesorë, përfshirë Shefin Ekzekutiv Parag Agrawal, që në ditën e parë si pronar i “Twitter-it”.
Ai gjithashtu shkarkoi bordin e drejtorëve të kompanisë dhe u vendos si anëtari i vetëm i bordit.
Që nga e enjtja, zoti Musk dhe kompania “Twitter” nuk kanë dhënë asnjë njoftim publik për pushimet nga puna.
Asnjë njoftim nuk u bë, megjithëse ligjet federale kërkojnë që punëdhënësit të njoftojnë nëse duan të pushojnë nga puna 500, ose më shumë punonjës.
Barry C. White, zëdhënës tek Departamenti i Zhvillimit të Punësimit të Kalifornisë, tha të enjten se agjencia nuk ka marrë asnjë njoftim të tillë nga kompania Twitter.
Një padi kolektive është dorëzuar të enjten tek gjykata federale në San Francisco në emër të një punonjësi, që ishte pushuar nga puna dhe tre të tjerëve të cilëve u ishte bllokuar qasja tek llogaritë e tyre të punës.
Largimet nga puna po bëhen në një kohë të vështirë pasi gatishmëria për të paguar për reklama po bie dhe platformat e reja si “TikTok”, po pëlqehen më shumë, duke rrezikuar popullaritetin e rrjeteve sociale më të vjetra si “Twitter” dhe “Facebook”.
Në një postim në “Twitter” të premten, ndërsa punonjësit po mësonin nëse kishin humbur punën, zoti Musk fajësoi aktivistët për atë që ai e cilësoi si “rënie masive e të ardhurave”, që kur mori drejtimin e “Twitterit”, në fund të javës së kaluar. Ai nuk tha se sa kishin rënë të ardhurat.
Kompanitë e mëdha, duke përfshirë “General Motors”, “General Mills” dhe “Audi”, i kanë ndaluar të gjitha reklamat në “Twitter”, pasi duan të shohin se çfarë kahje do marrë kompania nën drejtimin e Elon Muskut.
Ai është përpjekur t’i qetësojë ato, por shqetësimi mbetet nëse kontrolli i përmbajtjes do të mbetet aq i rreptë sa ishte deri tani dhe nëse reklamimi në “Twitter” mund të njollosë prodhimet e tyre./VOA
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...