Google ADS

Eksperti amerikan: Sanksionet nuk kanë gjasa të ndalojnë Rusinë

09:31 | 3 Mars 2022
Trina Galanxhi

Duke përmendur dështimin e sanksioneve amerikane për të parandaluar Pakistanin nga marrja e armatimit bërthamor dhe Kinën nga mbështetja e Koresë Veriore në luftën koreane, Gary Hufbauer, një ekspert i luftës ekonomike, thotë se sanksionet nuk kanë gjasa të parandalojnë sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës.

Sanksionet perëndimore ndaj Rusisë do të kenë ndikim të rëndësishëm në ekonomi, por nuk është se do të ndikojnë në ndalimin e sulmit të saj në Ukrainë, ka thënë ai për AFP, transmeton portal arbresh.info

Gary Hufbauer, një studiues në Institutin Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare të Uashingtonit, ka studiuar 100 raste të sanksioneve të përdorura gjatë shekullit të kaluar, nga Lufta e Parë Botërore në Irak.

“Shkalla e suksesit për arritjen e objektivit të politikës së jashtme ishte më pak se një e treta e rasteve”, tha autori i librit “Sanksionet ekonomike të rikonsideruara”.

Presioni ekonomik funksionoi kundër vendeve si Panamaja, Peruja apo Sierra Leone dhe ndihmoi në rrëzimin e diktatorëve në disa vende të mesme si Brazili dhe Koreja e Jugut.

Ato gjithashtu “u dhanë një kontribut” për fundin e regjimit racist të aparteidit në Afrikën e Jugut, tha ai.

Por sanksionet e Uashingtonit dështuan në pengimin e Pakistanit nga marrja e armëve bërthamore.

Ndërsa sanksionet amerikane ndaj Kinës në luftën koreane në vitet 1950 ishin të dhimbshme ekonomikisht dhe ushtarakisht, “Kina vazhdoi” të mbështeste koreano-veriorët, sikurse edhe Bashkimin Sovjetik.

Një herë kur Moska u tërhoq, nga Afganistani në vitet 1980, “nuk ishte aq për shkak të sanksioneve”, por për shkak të armatimit të afganëve nga SHBA, humbjes së forcave ruse dhe trazirave politike në vend”, tha Hufbauer.

“Patjetër që sanksionet dëmtojnë ekonominë, por dëmtimi i një vendi dhe ekonomisë së tij nuk është njësoj si ndryshimi i pikëpamjeve të liderëve politikë”, shtoi ai.

“Sapo një vend i madh si Rusia pushton një vend tjetër, është shumë e vështirë që të bësh dhëheqësin e vendit agresiv të ndryshojë mendje”, tha ai pasi, sipas tij do të ishte “një pengesë shumë e madhe për të personalisht”.

Hufbauer pranoi se sanksionet e reja ndaj Rusisë ishin të një “fuqie të paprecedentë”.

SHBA dhe aleatët perëndimorë kanë kërkuar të gjymtojnë sektorin bankar dhe monedhën ruse duke shkurtuar banka të zgjedhura nga sistemi i mesazheve SËIFT, duke i bërë ato të izoluara nga pjesa tjetër e botës dhe duke ndaluar transaksionet me bankën qendrore në Moskë.

Kjo mund t’i zvogëlojë të ardhurat e Rusisë deri në 10 përqind, por nuk ka gjasa që të ndikojë për një armëpushim.

“Nuk ka asnjë precedent të vërtetë për këtë,” tha Hufbauer.

“Sanksionet perëndimore ndaj Rusisë janë të vështira, por vendi ynë ka potencialin e nevojshëm për të kompensuar dëmin”, deklaroi këtë javë zëdhënsi Dmitry Peskov./AFP/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme