Ekspertët kanë filluar vlerësimin e dëmeve në katedralen Notre Dame të Parisit, pas deklaratës së zyrtarëve se zjarri që shkatërroi kishën e famshme ishte shuar. Zëdhënësi i zjarrfikësve të Parisit, Gabriel Plus, tha se specialistët dhe arkitektët kishin filluar “studimin e lëvizjeve strukturore dhe shuarjen e materialit të shkrumbuar.”
Megjithëse zjarri shkaktoi dëme masive në ndërtesën e famshme gotike në qendër të Parisit, shefi i brigadës zjarrfikëse të qytetit, Jean-Claude Gallet, u tha gazetarëve se zjarrfikësit kishin shpëtuar dy kullat emblematike të katedrales dhe strukturën prej guri. Flakët, të cilat gjatë djegies shkonin në deri 10 metrash lartësi, shkatërruan një pjesë të mirë të çatisë dhe shkaktuan rrëzimin e saj.
Zyrtarët e Parisit thanë se zjarrfikësit punuan për të shpëtuar sa më shumë vepra arti dhe objekte të shenjta nga katedralja e shekullit të 12-të. Nënkryetari i Bashkisë së Parisit Emmanual Gregorie tha se copat e Kurorës së supozuar të Krishtit u shpëtuan dhe u transportuan në një vend “sekret”. Gjithashtu, organoja me famë botërore e shekullit të 18-të mbijetoi, tha zyrtari, po ashtu edhe statujat që ishin hequr vetëm disa ditë më parë për restaurimin dhe thesare të tjera brenda katedrales.
Nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi zjarrin, megjithëse zyrtarët e zjarrfikësve thanë se flaka mund të kishte lidhje me “punimet e rinovimit” që po bëheshin në ndërtesë.
Prokurori i Parisit Remy Heitz tha se është duke u zhvilluar një hetim që përfshin 50 specialistë, i cili do të jetë “i gjatë dhe kompleks”. Heitz tha se hetuesit do të intervistojnë punëtorët e pesë kompanive që punojnë për restaurimin. Zëdhënësi i njërës prej kompanive, Julien le Bras, tha se “të gjitha masat e sigurisë janë respektuar” nga 12 punëtorët e tij, të cilët ai tha se janë “duke marrë pjesë në hetim pa asnjë hezitim”.
Vatikani lëshoi një deklaratë ku shprehte tronditje dhe trishtim duke e quajtur Notrë Damën një “simbol të krishterimit në Francë dhe në botë”. Zëdhënësi i Vatikanit Alessandro Gisotti shkruante të martën në Twitter se Papa Françesku po lutej “për ata që po përpiqen të përballojnë këtë situatë dramatike”.
Presidenti Macron tha se do të niste një fushatë kombëtare për mbledhjen e fondeve për të rindërtuar katedralen dhe u bëri thirrje “talenteve më të mëdhenj” të botës për të ndihmuar në këtë përpjekje.
Familja e biznesmenit miliarder francez Bernard Arnault u zotua të dhuronte 226 milionë dollarë për projektin, ndërsa biznesmeni François-Henri Pinault premtoi 113 milion dollarë. Kreu i Bashkimit Evropian Donald Tusk i bëri thirrje bllokut prej 28-vendesh të ndihmojë në përpjekjet e restaurimit.
Zjarri ndodh gjatë një momenti të shenjtë të vitit për të krishterët, më pak se një javë para Pashkëve dhe gjatë përkujtimeve të Javës së Shenjtë Katolike. Të dielën në katedrale ishte planifikuar një meshë për Pashkët.
Kryepeshkopi i Parisit Michel Aupetit ftoi priftërinjtë anembanë Francës t’u binin kambanave në një thirrje për lutje. Konferenca franceze e peshkopëve njoftoi të martën se këmbanat në 103 katedralet katolike në të gjithë vendin do të bien të mërkurën në orën 18:50 UT, koha kur shpërtheu zjarri të hënën.
Katedralja katolike mesjetare është një nga monumentet historike më të vizituara në Evropë, me miliona njerëz që shkojnë aty çdo vit. Ajo daton në shekullin e 12 dhe njihet si skena e ngjarjeve të romanit klasik të Viktor Hygosë, “Kurrizoja i Notrë Damës”./voa/
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...