Puna e gazetarëve mund të variojë ndër të tjera nga mbulimi i skenave të krimit, tek zonat e konfliktit.
Universiteti i Torontos po shqyrton pasojat emocionale që gazetaria mund të ketë tek gazetarët dhe u ofron redaksive njohuri se çfarë mund të bëjnë për të ndihmuar.
Korrespondentja e Zërit të Amerikës Cristina Caicedo Smit njofton nga Nju Jorku.
Çfarë ndikimi ka një karrierë që mbulon urinë, luftën, fatkeqësitë dhe kryengritjet tek gazetarët që i mbulojnë këto ngjarje?
Kjo është pyetja që Anthony Feinstein u përpoq të gjejë.
Për 23 vitet e fundit, profesori i psikiatrisë në Universitetin e Torontos ka grumbulluar një bazë të dhënash nga anketat e mbi 1,100 gazetarëve, ku krahason rezultatet e gazetarëve në vijën e parë të frontit me ata që mbulojnë ngjarjet më pak traumatike.
Studimi i tij – Parashikuesit e Shqetësimit Psikologjik tek Gazetarët e Vijës së Parë – zbulon se gazetaret femra mund të preken në një masë më të madhe, sepse ato janë më të ndjeshme ndaj akteve të dhunshme.
“Konstatimi i depresionit në më shumë gra gazetare sesa burra është një gjetje shumë e gjithanëshme, pavarësisht nga vendi që kemi studiuar. Ne kemi parë shumë vende tani. Është diçka që kapërcen një lloj vendi, kapërcen kulturën. Gratë gazetare janë më të rrezikuara”, thotë zoti Feinstein.
Por ka hapa që redaksitë mund të ndërmarrin.
Alison Baskerville është një specialiste e sigurisë redaksionale për agjencinë e lajmeve Reuters.
Detyra e saj është të sigurojë që gazetarët në zonat e konfliktit të kenë burimet që u nevojiten.
“Si profesionistë të sigurisë, ne duhet të kuptojmë se sa ekspozim kanë ata ndaj këtij lloj kërcënimi dhe çfarë bën ky kërcënim për shëndetin e tyre mendor.”
Çrregullimi i stresit post-traumatik, ose PTSD, u njoh për herë të parë nga Shoqata Amerikane e Psikiatrisë në vitin 1980.
Por redaksitë në mbarë botën kanë qenë të ngadalta për të kuptuar se si ai ndikon tek gazetarët.
Hannah Storm është themeluesja e Headlines Network, një organizatë që u ofron redaksive mbështetje dhe trajnime për shëndetin mendor.
Ajo thotë se njohja e çështjes është e rëndësishme.
“Ka një kuptim më të mirë në redaksitë e lajmeve se duhet të adresojmë, të pranojmë dhe të normalizojmë bisedat rreth shëndetit mendor dhe ndikimit të punës sonë tek ne”.
Falë profesorit Feinstein, specialistë te sigurisë kanë më shumë se dy dekada të dhënash, të mbledhura mes të tjerash nga gazetarë që kanë mbuluar një sërë historish nga konflikti në Ballkan dhe lufta në Irak, e deri te sulmet e 11 shtatorit dhe dhuna e lidhur me drogën në Meksikë./voa/
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...