Sipas ekspertëve ligjorë, vendimi i Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara se presidentët gëzojnë imunitet për veprimet zyrtare është një fitore e menjëhershme për ish Presidentin Donald Trump kandidatin e pritshëm republikan në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, i cili ka mbështetur shpresat tek shtyrja kohore e proceseve gjyqësore ndaj tij. Por në afat të gjatë, sipas ekspertëve, ky vendim mund të ketë pasoja të thella për sistemin politik amerikan përmes zgjerimit të pushtetit të presidentit dhe pandëshkueshmërisë.
Në afat të shkurtër, ekspertët ligjorë thonë se vendimi i Gjykatës së Lartë se ish presidentët gëzojnë imunitet për veprimet e lidhura drejtpërdrejt me detyrat e tyre zyrtare, por jo për veprime që nuk lidhen me detyrat zyrtare, është një fitore për zotin Trump.
Por, sipas tyre, vendimi i Gjykatës së Lartë rrezikon të transformojë postin e presidentit dhe të ndikojë në sistemin qeverisës amerikan, duke i hapur rrugë prirjeve autoritare.
“Ai nuk mori imunitet të plotë, 100 për qind për të gjitha ato që ka bërë dhe që po kërkonte. Por në tërësi, kjo ishte një ditë e mirë për Presidentin Trump. Të paktën fillimi i gjyqit ndaj tij do të shtyhet,” thotë profesorja Claire Wofford nga Kolegji Charleston.
Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara mori një vendim historik, duke vendosur për herë të parë për çështjet që lidhen me imunitetin e presidentit nga ndjekja penale. Sipas vendimit, zoti Trump nuk mund të ndiqet penalisht për asnjë veprim të ndërmarrë në kuadër të kompetencave të tij kushtetuese si president, por vetëm për aktet private. Por, anëtarët e Gjykatës së Lartë ia lanë gjykatës së nivelit më të ulët mënyrën se si do ta zbatonin këtë vendim në rastin e ish-presidentit Trump.
Sipas profesorit të Universitetit Hofstra, James Sample, me vendimin e saj gjykata ka krijuar pengesa procedurale që do të jenë sfida për prokurorin e posaçëm Jack Smith, që e ka akuzuar zotin Trump për përpjekje për përmbysje të rezultatit zgjedhor. Ai thotë se Gjykata e Lartë i dha një fitore zotit Trump ndërkohë që po i afrohet fundit të fushatës.
“Precedenti i ri në këtë rast është se gjykata gjeti një doktrinë e cila nuk ka ekzistuar më parë, e cila thotë që në vend që të ketë barazi para ligjit, ku çdo individ është i barabartë përballë ligjit dhe askush nuk është mbi ligjin, dikush mund të supozohet se është mbi ligjin. Në kontekstin e demokracisë amerikane, sidomos se si shihet ajo nga bota, nuk bëhet fjalë për të dhënë shembull demokracie, por për një qasje, bëj si them unë e mos bëj si bëj unë,” thotë profesori Sample.
Vendimi i Gjykatës së Lartë u mbështet nga gjashtë gjykatësit konservatorë dhe u kundërshtua nga tre anëtarët liberalë. Ndonëse vendimi nuk hedh poshtë aktakuzat kundër zotit Trump, ai përbën një fitore për strategjinë e kandidatit të pritshëm republikan për president në zgjedhjet e këtij viti, për të shtyrë proceset ligjore deri pas zgjedhjeve, sipas dekanit të Fakultetit Juridik të Universitetit “George Washington”, Alan Morrison.
“Nuk është ende fitore, por është fitore për faktin që gjyqi ndaj tij nuk do të fillojë para zgjedhjeve… Është e pamundur që gjykimi për këtë rast të fillojë për të paktën edhe një ose dy vite, gjithsesi jo para nëntorit,” thotë ai.
Profesorja Wofford thotë se vendimi u jep shumë mbrojtje presidentëve amerikanë.
“Nëse një president është në pozitë të ndërmarrë një sërë veprimesh që një qytetari apo një pjesëtari tjetër të qeverisë nuk i lejohet dhe ai nuk jep llogari para askujt, atëherë unë mendoj se kemi të bëjmë me një sistem politik që dallon nga sistem i tanishëm demokratik ku ka ndarje të pushteteve. Të paktën si mundësi, po shkojmë drejt një regjimi më autoritar dhe diktatorial, që është edhe arsyeja që i shqetëson shumë kur bëhet fjalë për zoti Donald Trump,” thotë ajo.
Në opinion kundërshtues të pakicës, anëtarja e Gjykatës së Lartë Sonia Sotomayor shprehet se, “Vendimi për t’u dhënë presidentëve imunitet nga veprat penale, i jep formë të re institucionit të Presidentit. Tallet me parimin themelor të Kushtetutës dhe sistemit tonë qeverisës, se askush nuk qëndron mbi ligjin.”
Vendimi i Gjykatës së Lartë u përshëndet nga ish Presidenti Trump si një “fitore e madhe për Kushtetutën dhe demokracinë”, ndërsa u kritikua nga Presidenti demokrat Joe Biden, i cili tha se “vendimi nuk ndryshon faktet”, duke shtuar se zoti Trump kishte, siç tha ai, “nxitur një turmë të dhunshme të përmbyste rezultatin e zgjedhjeve të lira dhe të drejta.”/voa/
“Çfarëdo që vendosim tani do llogaritet si lojë”, Sara dhe D...
Policia me njoftim për disa gjoba në rajonin e Prishtinës
Manchester United me rekord të zi këtë edicion në Premier Le...
Shkon në 94 numri i të vdekurve nga cikloni në Mozambik
Ancelotti: Jemi rikthyer, pas humbjes ndaj Milanit, folëm dh...
Kurti e Nagavci lansojnë nesër pilotimin e Programit të Kupo...