Egjipti ka thënë se e ka pranuar një listë me 13 izraelitë dhe një tjetër me 39 palestinezë që pritet të lirohen të dielën, në ditën e tretë të armëpushimit mes Hamasit – grupit radikal palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – dhe Izraelit.
Armëpushimi katërditor mes Hamasit dhe Izraelit – i ndërmjetësuar nga Egjipti, Katari dhe Shtetet e Bashkuara – nisi të premten.
“Autoritetet egjiptiane e kanë pranuar sot një listë me të ndaluarit në Gazë, e cila përfshin 13 izraelitë, dhe një listë me palestinezët që do të lirohen nga burgjet izraelite, e cila përfshin 39 palestinezë. Ata do të këmbehen sot mes dy palëve”, tha Diaa Rashwan, shef i zyrës për media të Qeverisë egjiptiane.
Ky do të jetë grupi i tretë i pengjeve dhe të burgosurve që do të lirohen nga të dyja palët prej se nisi armëpushimi të premten.
Rashwan tha se armëpushimi po vazhdon “pa pengesa” në ditën e tretë.
Në përgjithësi, Hamasi i ka liruar së paku 50 pengje izraelite, ndërsa Izraeli 150 të burgosur palestinezë. Të gjithë janë gra dhe të mitur.
Të shtunën vonë, Hamasi i liroi 17 pengje, përfshirë 13 izraelitë nga Rripi i Gazës, derisa Izraeli i liroi 39 të burgosur palestinezë.
Këmbimi i pengjeve me të burgosurit u krye në orët e vona, pas vonesave disa orëshe, për shkak se Hamasi e akuzoi Izraelin e se kishte shkelur marrëveshjen e armëpushimit.
Kjo vonesë e theksoi brishtësinë e armëpushimit, i cili e ka ndalur një luftë që e ka tronditur dhe dridhur Izraelin, ka shkaktuar shkatërrim tejet të madh në Rripin e Gazës, si dhe ka kërcënuar me përshkallëzimin e luftës në tërë rajonin.
Lufta shpërtheu më 7 tetor, kur luftëtarët e Hamasit në Gazë i thyen barrierat kufitare dhe u futën në jug të Izraelit, duke i vrarë së paku 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke i rrëmbyer 240 të tjerë, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar.
Izraeli shpalli gjendje lufte menjëherë, duke kryer bombardime disa javore dhe duke e nisur një ofensivë tokësore, si pasojë e të cilave u vranë mbi 13.300 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territorin e kontrolluar nga Hamasi. Rreth dy të tretat e të vrarëve në Gazë ishin gra dhe të mitur./rel
Man United pëson debakël në “Old Trafford”, Chelsea ndalet n...
Shënoi gol dhe asistoi, Korenica shpallet lojtari i ndeshjes...
Fejohet Kida, merr propozim për martesë nga i dashuri i saj
Mbappe dhe Valverde të “pamëshirshëm”, realizojnë dy supergo...
Tottneham dhe Liverpool mbyllin xhiron e 17-të, këto janë 11...
Kritika ndaj autoriteteve gjermane pas sulmit në tregun e Kr...