Egjipti thotë se do të lirohen 13 izraelitë e 39 palestinezë në ditën e tretë të armëpushimit

17:30 | 26 Nëntor 2023
D.H

Egjipti ka thënë se e ka pranuar një listë me 13 izraelitë dhe një tjetër me 39 palestinezë që pritet të lirohen të dielën, në ditën e tretë të armëpushimit mes Hamasit – grupit radikal palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – dhe Izraelit.

Armëpushimi katërditor mes Hamasit dhe Izraelit – i ndërmjetësuar nga Egjipti, Katari dhe Shtetet e Bashkuara – nisi të premten.

“Autoritetet egjiptiane e kanë pranuar sot një listë me të ndaluarit në Gazë, e cila përfshin 13 izraelitë, dhe një listë me palestinezët që do të lirohen nga burgjet izraelite, e cila përfshin 39 palestinezë. Ata do të këmbehen sot mes dy palëve”, tha Diaa Rashwan, shef i zyrës për media të Qeverisë egjiptiane.

Ky do të jetë grupi i tretë i pengjeve dhe të burgosurve që do të lirohen nga të dyja palët prej se nisi armëpushimi të premten.

Rashwan tha se armëpushimi po vazhdon “pa pengesa” në ditën e tretë.

Në përgjithësi, Hamasi i ka liruar së paku 50 pengje izraelite, ndërsa Izraeli 150 të burgosur palestinezë. Të gjithë janë gra dhe të mitur.

Të shtunën vonë, Hamasi i liroi 17 pengje, përfshirë 13 izraelitë nga Rripi i Gazës, derisa Izraeli i liroi 39 të burgosur palestinezë.

Këmbimi i pengjeve me të burgosurit u krye në orët e vona, pas vonesave disa orëshe, për shkak se Hamasi e akuzoi Izraelin e se kishte shkelur marrëveshjen e armëpushimit.

Kjo vonesë e theksoi brishtësinë e armëpushimit, i cili e ka ndalur një luftë që e ka tronditur dhe dridhur Izraelin, ka shkaktuar shkatërrim tejet të madh në Rripin e Gazës, si dhe ka kërcënuar me përshkallëzimin e luftës në tërë rajonin.

Lufta shpërtheu më 7 tetor, kur luftëtarët e Hamasit në Gazë i thyen barrierat kufitare dhe u futën në jug të Izraelit, duke i vrarë së paku 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke i rrëmbyer 240 të tjerë, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar.

Izraeli shpalli gjendje lufte menjëherë, duke kryer bombardime disa javore dhe duke e nisur një ofensivë tokësore, si pasojë e të cilave u vranë mbi 13.300 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territorin e kontrolluar nga Hamasi. Rreth dy të tretat e të vrarëve në Gazë ishin gra dhe të mitur./rel

Të ngjashme