Sekretarja e Shtetit në Maine ka larguar emrin e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, nga fletëvotimi për zgjedhjet presidenciale, duke u thirrur në një klauzolë të Kushtetutës që ka të bëjë me kryengritjen.
Shenna Bellows bëhet zyrtarja e parë zgjedhore që ndërmerr një veprim të njëanshëm, përderisa Gjykata Supreme amerikane pritet të vendosë nëse Trump do të mund të garojë për t’u kthyer në Shtëpinë e Bardhë.
Trump konsiderohet kandidati kryesor për të marrë nominimin nga republikanët për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
Vendimi i sekretares Bellows pason vendimin e marrë më herët gjatë këtij muaji nga Gjykata Supreme në Colorado që diskualifikojë Trumpin nga gara zgjedhore, duke u thirrur në pikën 3 të amendamentit 14 të Kushtetutës amerikane. Në atë vendim thuhej se derisa Gjykata Supreme amerikane të vendosë për çështjen, Trumpit do t’i ndalohet pjesëmarrja në zgjedhje sipas kësaj dispozite të Kushtetutës që i përket epokës së Luftës Civile dhe e cila ndalon personat “e përfshirë në kryengritje” që të mbajnë post institucional.
Fushata e Trumpit tha se do të apelojë vendimin e Bellows në gjykatat shtetërore të Maines. Në fund, ka shumë të ngjarë që vendimin final ta marrë gjykata më e lartë amerikane lidhur me atë nëse emri i Trumpit do të shfaqet në fletëvotimet në Maine dhe shtetet tjera.
Në vendimin e Bellows u tha se Trump nuk mund të garojë sërish për president për shkak të rolit të tij në ngjarjet e 6 janarit të vitit 2021, pasi sulmi ndaj Kongresit amerikan përbën shkelje të pikës 3, që ndalon personat të garojnë për post nëse “janë përfshirë në kryengritje”. Vendimi erdhi pasi disa banorë të Mainet, përfshirë edhe një grup të ish-ligjvënësve kërkuan që Trump të mos lejohej të merrte pjesë në zgjedhje”.
“E di që asnjë sekretar i Shtetit asnjëherë nuk i ka ndaluar një kandidati presidencial që të përfshihet në garë zgjedhore duke marrë për bazë pikën 3 të amendamentit të 14-të. Megjithatë, unë e di që asnjë kandidat presidencial në të kaluarën nuk ishte përfshirë në kryengritje”, shkroi Bellows në vendimin e saj prej 34 faqesh.
Fushata e Trumpit menjëherë reagoi për vendimin.
“Ne jemi dëshmitarë të përpjekjes për të vjedhur zgjedhjet dhe për të mashtruar votuesit amerikanë”, tha zëdhënësi i fushatës, Steven Cheung.
Ekspertët ligjorë thanë se vendimi i Maines dëshmon se ka nevojë që gjykata më e lartë e shtetit, që asnjëherë nuk ka trajtuar pikën 3, ta qartësojë se çfarë shtetet mund të bëjnë në këtë drejtim.
Maine ka katër vota elektorale. Trump kishte fituar një votë elektorale në Maine më 2020, prandaj diskualifikimi i tij nga kjo garë mund të ketë ndikim në garën presidenciale që pritet të jetë e ngushtë.
Në vendimin e saj, Bellows e pranoi se Gjykata Supreme amerikane me gjasë do të ketë fjalën e fundit për këtë çështje, por ajo shtoi se ishte detyrë e saj që të merrte këtë vendim. /REL
Hamza takohet me Xhakën, e quan kampion dhe shembull për të ...
Prishtina dhe Ballkani ndajnë pikët në kryederbin e fundjavë...
Ky është 25-vjeçar që vdiq tragjikisht në vendin e punës në ...
Nesër fillon Fushata Globale “16 Ditët e Aktivizmit Ku...
Dafina Zeqiri sjell këngën e re “Tranquilo”
Vazhdon përplasja me Xuxin, rikthehet historia e prindërve t...