Byroja Shtetërore e Hetimeve të Ukrainës (DBR) thotë se ish-ligjbërësi ukrainas, Vadym Rabinovych, i cili aktualisht ndodhet jashtë vendit, dyshohet për “tradhti të lartë”.
Sipas DBR-së, Rabinovych, i cili përfaqësonte në parlament partinë pro-ruse opozitare Platforma, “përhapi propagandë anti-ukrainase midis popullsisë ukrainase dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian”, në përpjekje për ta ndihmuar Rusinë “t’i arrijë synimet e saj politike dhe ushtarake në Ukrainë”.
Një ditë më parë, Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) tha se një tjetër ish-ligjbërës miqësor ndaj Rusisë, Yevhen Murayev, ishte gjithashtu i dyshuar për “tradhti të lartë”.
Murayev, 46 vjeç, është gjithashtu aktualisht jashtë Ukrainës.
Sipas SBU-së, Murayev përdori kanalin e tij televiziv Nashi, i cili tani është i ndaluar në Ukrainë, për ta promovuar propagandën ruse.
Disa javë para se Rusia të niste pushtimin e saj të paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar, inteligjenca britanike e quajti Murayevin politikan miqësor ndaj Kremlinit që Moska mund të donte ta sillte në pushtet në Ukrainë.
Gjithashtu, më 25 korrik, një gjykatë në Kiev e dërgoi ligjvënësin Oleksandr Ponomaryov, i cili është gjithashtu një anëtar i OPZZH-së, në paraburgim me një akuzë për tradhti të lartë.
Hetuesit thonë se Ponomaryov bashkëpunoi me zyrtarë të imponuar nga Rusia në territoret e Ukrainës të pushtuara nga trupat ruse.
Skhemy, një projekt hulumtues i drejtuar nga Radio Evropa e Lirë, zbuloi më herët se Ponomaryov ka pasur nënshtetësi ruse për të paktën 18 vjet.
Në maj, SBU-ja njoftoi se një tjetër anëtar i OPZZH-së, ish-deputeti Oleh Voloshyn, dyshohej për tradhti të lartë.
Voloshyn u largua nga Ukraina për në Rusi pak para se Moska ta fillonte pushtimin e Ukrainës vitin e kaluar.
Në qershor të vitit 2022, një gjykatë në Ukrainë ndaloi OPZZH-në, që u themelua dhe drejtohet nga Viktor Medvedchuk, që thuhet se ishte kumbari i vajzës së presidentit rus, Vladimir Putin.
Medvedchuk u arrestua në vitin 2021 me akuzën e tradhtisë dhe financimit të terrorizmit dhe më vonë u vendos në arrest shtëpie me kusht.
Menjëherë pasi Rusia nisi pushtimin e saj, Medvedchuk i shpëtoi arrestit shtëpiak, por u arrestua sërish në prill ndërsa përpiqej të ikte në Rusi.
Në shtator, autoritetet ukrainase e dorëzuan politikanin 68-vjeçar në Rusi në një shkëmbim të burgosurish./rel/
Shtetasit turk i vjedhet një çantë në Prishtinë, i’a m...
Zhduken dy gra në dy raste të ndara në Rahovec
“Ndaluni të gjithë, Kosova është Kosovë ose Kosova është Shq...
Qeveritë në Paris dhe Berlin mbeten pa para
Anisa Veseli, banorja më e re në BBVK
Komuna e Prishtinës vendos pllakë përkujtimore të dëshmorit ...