Google ADS

Dymbëdhjetë ushtarë britanikë lëndohen në një aksident trafiku në Estoni

09:34 | 26 Nëntor 2024
Q L

Dymbëdhjetë ushtarë britanikë u lënduan në një aksident trafiku në Estoni, afër kufirit me Rusinë, kanë raportuar mediat lokale.

Tetë prej trupave – pjesë e një misioni të madh të NATO-s për të penguar agresionin rus – u dërguan me aeroplan në Britaninë e Madhe për trajtim spitalor të dielën pas incidentit.

Pesë nga këta ushtarë që atëherë janë liruar nga spitali, ndërsa tre janë ende në spitalin ushtarak Mbretëresha Elizabeth në Birmingham, transmeton Telegrafi.

Përplasja ndodhi në një kryqëzim rreth orës 17:00 të së premtes, kur trupat po udhëtonin me tre minibusë për në bazën e tyre në Tapa.

Dy vetura civile, të drejtuara nga estonezë, mendohet se janë përplasur, duke shkaktuar një aksident zinxhiror, me katër automjete të tjera – të përbërë nga tre minibusët e ushtrisë të markës Toyota dhe një veturë e tretë.

Sipas raportimeve të mediave vendase, veturat që u përplasën fillimisht ishin një Volvo S80, me drejtues një grua 37-vjeçare dhe një BMW 530D, e drejtuar nga një grua 62-vjeçare.

Postimees raportoi se 12 ushtarë britanikë u lënduan si dhe pesë civilë. Të gjithë u dërguan në spital me autoambulancë. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme