Numri i faqeve në internet që përhapin dezinformata për Rusinë dhe Ukrainën, është rritur më shumë sesa dyfishi prej nisjes së pushtimit rus në Ukrainë, në shkurt të këtij viti.
Kështu është thënë në raportin e grupit me bazë në Nju Jork, NewsGuard.
Sipas raportit, ekspertët e grupit kanë identifikuar 250 faqe të internetit që kanë publikuar materiale dezinformuese për këto dy shtete, në krahasim me 116 në muajin mars.
Në të është thënë se platformat sikurse, Google, Twitter, Facebook dhe TikTok, kanë vendosur “në disa shtete masa të përkohshme kundër platformave të propagandës ruse sikurse RT dhe Sputnik, pasi Komisioni Evropian ua ka ndaluar transmetimin këtyre dy mediumeve të financuara nga Kremlini”.
Megjithatë, sipas raportit, “një numër i madh i faqeve tjera të identifikuara nga NewsGuard shpërndajnë lirshëm mite në internet”.
Raporti ka përmendur 54 “mite” që përhapen nga këto faqe për luftën pesëmujore në Ukrainë, apo edhe për tetë vjetët e konfliktit në mes të Ukrainës dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia në rajonin e Donbasit.
Aty përfshihen “pretendime se Shtetet e Bashkuara kanë laboratorë në Ukrainë për zhvillim të armëve biologjike, se trupat ruse nuk janë përgjegjëse për masakrën e civilëve në Buça në muajin mars, se rusët nuk kanë sulmuar stacionin e trenave në Kramatorsk në lindje të Ukrainës”, ka thënë grupi.
Në shumicën e faqeve nuk shihen pronarët dhe ato prezantohen si institute të pavarura apo si organizata joqeveritare.
Nënpresidentja e Komisionit Evropian, Vera Jourova, e ka përshkruar së fundi dezinformimin si “problem në rritje në BE, andaj duhet të marrim masa shtesë”.
NewsGuard ka nisur të gjurmojë dezinformatat për Rusinë dhe Ukrainën, pak pasi mijëra trupa ruse të niseshin në kufirin ukrainas.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra./rel/
Ministria e Bujqësisë në Shqipëri: Mbi 85% e mandarinave pa ...
Aksident në mes dy automjeteve në Klinë
Arrestohet një grua në Prishtinë, nën ndikim të alkoolit sul...
Ministri i Jashtëm i Jordanisë do të zhvillojë bisedime me l...
Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 400 gjoba trafiku në 24 orët e...
Vdes një person në QKUK