Dy detarë janë vrarë të mërkurën si pasojë e një sulmi raketor nga grupi rebel, Huthi, kundër një anijeje mallrash në Detin e Kuq, njoftuan zyrtarët amerikanë dhe britanikë.
Ky ishte sulmi i parë me të vdekur prej se ky grup, i mbështetur nga Irani, i filloi sulmet kundër anijeve tregtare në rrugën më të dendur tregtare detare në botë muaj më parë.
Përgjegjësinë për sulmin e morën rebelët huthi.
Cak i sulmit ishte një anije greke, e regjistruar në Barbados.
Ambasada britanike në Jemen shkroi në rrjetin social X: “Së paku dy detarë të pafajshëm kanë vdekur. Këto ishin pasojat e trishtueshme por të pashmangshme të gjuajtjeve me raketa nga Huthi kundër transportit ndërkombëtar të mallrave. Ata duhet të ndalen patjetër”.
Lajmi për vdekjen e dy detarëve u konfirmua edhe nga një zyrtar i lartë amerikan, raporton Reuters.
Rebelët huthi janë duke i sulmuar anijet tregtare në Detin e Kuq prej nëntorit të kaluar, dhe thonë se po e bëjnë këtë për t’i mbështetur palestinezët gjatë luftës në Gazë.
Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara kanë filluar sulme hakmarrëse ndaj caqeve të grupit Huthi prej janarit.
Operatorët grekë të anijes True Confidence thanë se anija u kaplua nga flaka si pasojë e sulmit.
Në bordin e saj ndodheshin 20 persona, një indian, dy vietnamezë dhe 15 filipinas. Tre roje të armatosura, dy nga Sri Lanka dhe një nga Nepali, ishin në bord gjithashtu./rel
Policia sekuestron armë dhe municion në Rahovec, arrestohet ...
Predha godet një shtëpi në Mitrovicë Veriore, policia heton ...
Arabia Saudite do të ndalojë alkoolin gjatë Botërorit 2030
Pas sulmit në Magdeburg seancë e posaçme në Bundestag
Slot lavdëron një futbollist për paraqitje të mrekullueshme ...
35-vjetori i themelimit të LDK-së, Abdixhiku sot bën homazhe...