Google ADS

Dy të vrarë e gjashtë të plagosur në sulmin ndaj gjykatës në Stamboll

12:13 | 6 Shkurt 2024
E.K

Dy persona u vranë derisa po përpiqeshin të kryenin një sulm ndaj një gjykate në Stamboll të martën, bëri të ditur ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya.

Burri dhe gruaja u vranë gjatë një “përpjekjeje për të sulmuar” një pikë kontrolli të sigurisë në gjykatën e Caglayan në orën 11:46, shkroi Yerlikaya në mediat sociale.

Gjashtë persona të tjerë mbetën të plagosur, në mesin e tyre tre policë.

Duke i përgëzuar policët për punën e tyre, ministri i brendshëm turk i quajti ata heronj, ndërsa të plagosurve u uroi shërim të shpejtë.

Caglayan, i cili njihet si Pallati i Drejtësisë në Stamboll, është një kompleks i madh gjykatash në rrethin Kagithane, në anën evropiane të qytetit.

Yerlikaya më vonë i identifikoi sulmuesit si anëtarë të Frontit Revolucionar për Çlirim, ose DHKP/C – grupi i cili nga Turqia dhe Shtetet e Bashkuara konsiderohet organizatë terroriste.

Sulmi ndodhi në ditën kur Turqia po përkujtonte përvjetorin e tërmetit të 6 shkurtit të vitit 2023, i cili vrau më shumë se 50 mijë njerëz dhe e shkatërroi pjesën juglindore të Turqisë

Fronti Revolucionar për Çlirim ka qenë kryesisht joaktiv në vjetët e fundit.

Në mars të vitit 2015, grupi mori peng një prokuror duke kërkuar detaje për vrasjen e një adoleshenti nga policia, gjatë protestave antiqeveritare një vit më parë. Dy persona të armatosur kishte vdiqën pasi policia hyri në ndërtesë, dhe prokurori vdiq më vonë si pasojë e plagëve.

Grupi gjithashtu mori përgjegjësinë për një sulm vetëvrasës me bombë në shkurt të vitit 2013, në Ambasadën e SHBA-së në Ankara, ku një roje e sigurisë u vra dhe katër persona të tjerë u plagosën.

Muajin e kaluar, një burrë u qëllua dhe u vra në një kishë të Stambollit në një sulm që u mor përsipër nga grupi militant, Shteti Islamik (IS).

Dy burra u arrestuan më vonë si të dyshuar për vrasjen e Tuncer Cihan, 52 vjeç, më 28 janar në kishën Santa Maria në lagjen Buyukdere.

Dhjetëra anëtarë dhe mbështetës të dyshuar të IS-it, gjithashtu, u arrestuan./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme