Google ADS

Dy të vdekur, disa të plagosur nga sulmet ruse në lindje të Ukrainës

11:40 | 28 Gusht 2023
Orgesa Haziri

Rusia e sulmoi rajonin Poltava në lindje të Ukrainës gjatë natës së 27 gushtit, duke i vrarë dy persona dhe duke shkaktuar dëme, njoftuan autoritetet rajonale të hënën.

“Si pasojë e sulmit të armikut u vranë dy njerëz, ndërsa dy të tjerë u dërguan në spital me lëndime të vogla, dhe dy të tjerë u zhdukën”, tha guvernatori rajonal, Dmitro Lunin në Telegram, duke shtuar se një ndërtesë industriale u shkatërrua, po ashtu.

Ndërkohë, një sulm tjetër rus me raketë i shkatërroi dy shtëpi në qytetin Krivi Rih.

Ushtria ukrainase tha më 28 gusht se forcat e saj po e vazhdojnë ofensivën drejt qytetit strategjik Melitopol në jug të rajonit Zaporizhja.

Forcat ukrainase të Mbrojtjes i kryen 34 beteja në ditën e kaluar në vazhdën e “një ofensive drejt Melitopolit”, tha Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës në raportin e rregullt të mëngjesit më 28 gusht.

Melitopoli, në jug të rajonit Zaporizhja, është një pikë jetike transiti për forcat ruse dhe një pikë kyçe lidhëse me të ashtuquajturën “ura tokësore” mes Krimesë së aneksuar nga Rusia dhe pjesëve lindore të Ukrainës të zaptuara nga Rusia.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha më 27 gusht se pret një “shtator të fuqishëm për Ukrainën”, përfshirë vendime të rëndësishme nga aleatët e Perëndimit rreth furnizimit me armë dhe pajisje të tjera për luftën./rel/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme