Në lidhje me vrasjen e dyshuar si vrasje me porosi të një gjeorgjiani në Berlin, Kremlini ka reaguar duke dëbuar dy diplomatë gjermanë. Më parë ishte Gjermania ajo që dëboi dy diplomatë rusë.
Të dy diplomatët gjermanë duhet të largohen brenda 7 ditësh nga Rusia, bëri të ditur Ministria e Jashtme në Moskë. Qeveria ruse reagon me këtë pas dëbimit të dy diplomatëve rusë nga Gjermania. Javën e kaluar, Ministria e Jashtme në Berlin i shpalli “non grata” dy diplomatë rusë. Gjermania akuzon Rusinë, se nuk bashkëpunon sa duhet për zbardhjen e vrasjes së një gjeorgjiani në mes të Berlinit.
Në reagimin e parë qeveria gjermane e kritikoi këtë hap kundërveprues të Rusisë. “Vendimi lëshon sinjalin e gabuar dhe është i pajustifikuar”, deklaroi një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme në Berlin. Qeveria gjermane parasheh “hapa të tjerë” në kuadër të zbardhjes së vrasjes. Në mëngjes u thirr në Mínistrinë e Jashtme në Moskë ambasadori gjerman.
Vrasja e dyshuar si vrasje me porosi ka sjellë prej javësh reagime. Për Prokurorinë Federale ka disa të dhëna që vrasja është kryer ose me porosi të instancave shtetërore në Federatën Ruse ose në Republikën autonome të Çeçenisë. Rusia ka hedhur poshtë çdo lloj përzierjeje në këtë rast.
Viktima gjeorgjiane Khangoshvili
I dyshuari hesht
Viktima ishte një 40 vjeçar, Zelimkhan Khangoshvili, i njohur si Tornike K., i cili me gjasë ka luftuar në republikën çeçene me separatistët. Ai u qëllua në kokë në gusht në kopshtin zoologjik të Berlinit. I dyshuari për vrasjen e tij u kap, por ai hesht për akuzat. Sipas të dhënave të prokurorisë gjermane, i dyshuari për vrasjen duhet të ketë pasur bashkëpunëtorë në Berlin, sepse ai erdhi në Gjermani,një ditë para vrasjes, dhe nuk mund t’i zbulonte kaq shpejt zakonet e jetesës së viktimës. Presidenti rus, Putin, e ka quajtur gjeorgjianin e vrarë “bandit” dhe “vrasës”./dw/
Lansohet platforma për raportimin e korrupsionit
Sot prezantohen rezultatet përfundimtare të regjistrimit të ...
Parashikimi i motit për sot në Kosovë
PSG triumfon nga Monaco në një ndeshje me shumë gola
Ulni faturat e energjisë me një truk që ruan nxehtësinë në s...
Aksident zingjiror në Prishtinë