Pas sulmit vdekjeprurës në Magdeburg, mobilizohet skena ekstremiste e djathtë në Gjermani. Shtohen sulmet ndaj migrantëve.
Ende nuk dihet qartë motivi i sulmuesit në Magdeburg për sulmin vdekjeprurës në tregun e Krishtlindjeve. Dihet vetëm që ai është shtetas saudit dhe ndodhet në paraburgim. Por që pas sulmit, skena e ekstremit të djathtë në Gjermani ka nisur të përhapë gjuhë urrejtjeje ndaj migrantëve.
Kurrë më parë nuk kam përjetuar një atmosferë kaq armiqësore dhe kërcënuese, thotë një student i teknikës së automjeteve në Magdeburg. Këtë e raportoi qendra për parandalimin e dhunës Salam në Saksoni-Anhalt. Organizata ka vënë re një rritje të ndjeshme të incidenteve kundër njerëzve të perceptuar si të huaj nga ekstremistët e djathtë. Migrantë të supozuar quhen në rrugë terroristë, kriminelë dhe llum, disa prej tyre shtyhen dhe pështyhen, thuhet në raportin e Salam. Kërcënimi ka arritur deri aty sa komunitetet migrantë po paralajmërojnë njëri-tjetrin përmes grupeve në WhatsApp dhe Facebook, duke këshilluar njerëzit të shmangin daljen në publik.
Paradoksi i situatës: Sulmuesi ishte islamofob dhe simpatizonte me AfD
Fakti që autori mund të ketë pikëpamje islamofobe dhe të ekstremit të djathtë është një paradoks i situatës, thotë studiuesi i radikalizmit Hans Goldenbaum nga Salam për radion Mitteldeutscher Rundfunk. Kjo tregon fuqinë e diskursit ekstrem të djathtë dhe sa i papërshkueshëm është nga realiteti. Që pas sulmit të së premtes së kaluar, partitë, organizatat dhe individët neonazistë në Gjermani po mobilizohen mbarëkombëtarisht. Ata kërkojnë dëbimin masiv të njerëzve nga Gjermania.
Në një demonstratë të ekstremit të djathtë në Magdeburg të dielën, 22 dhjetor 2024, u mblodhën qindra neonazistë. Gjatë protestës pati edhe sulme ndaj gazetarëve. Njëri nga folësit në aktivitet ishte Thorsten Heise, një funksionar neonazist me precedentë penalë. Ai kishte tentuar më parë të përplaste një refugjat me makinën e tij. Video nga aktiviteti tregojnë Heisen duke i nxitur pjesëmarrësit të infiltrojnë organizata, zjarrfikëse dhe autoritete. Gazetarët raportojnë se pjesëmarrësit thërrisnin Gjermani, zgjohu, një parullë e nazistëve të Hitlerit. Përdorimi i saj është i ndaluar me ligj në Gjermani.
Thirrje për ndalimin e instrumentalizimit politik
Eksperti i ekstremizmit të djathtë në Magdeburg, David Begrich, nga shoqata Miteinander e.V. paralajmëron për një instrumentalizim të mëtejshëm politik të sulmit. Partia Alternative për Gjermaninë (AfD), pjesërisht e ekstremit të djathtë, ka paralajmëruar protesta masive në Magdeburg.
Në një intervistë për DW, Begrich kritikon ashpër këto aktivitete. Pas një sulmi me pesë të vdekur dhe rreth 200 të plagosur, viktimat dhe të prekurit duhet të jenë në qendër të vëmendjes. Në Magdeburg mbizotëron një tronditje e thellë. Ky sulm i ka shkaktuar qytetit një plagë të rëndë, thotë ai.
Deri sa ende ka njerëz që po luftojnë për jetën në spital nga pasojat e sulmit, çdo instrumentalizim është i papranueshëm, shton Begrich. Fati i viktimave duhet të jetë tani në fokus. Pasojat mund të analizohen më vonë. Shoqëria e qytetit nuk dëshiron instrumentalizim.
Pavarësisht lajmeve të rreme, thashethemeve dhe përpjekjeve për instrumentalizim të kësaj ngjarjeje të rëndë në rrjetet sociale, David Begrich e përshkruan qytetin Magdeburg si të sinqerisht të prekur: Qyteti është më i bashkuar./DW/
Marotta: Jemi skuadra e vetme në Milano me dy yje në fanellë
Vullneti: Xheneta rrezikon të eliminohet këtë javë
Shpërthim në Prishtinë, lëndohen dy persona
Federata e Bodybuildingut zgjedhë më të mirët e vitit 2024
“Je xheloz ti?”, Sara dhe Driloni ngacmojnë njëri-tjetrin
Netanyahu në gjykatë për të dëshmuar mbi akuzat për korrupsi...