Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se SHBA-ja do marrëdhënie të qëndrueshme dhe të parashikueshme me Rusinë.
Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, pasi SHBA-ja shpalli sanksione të reja kundër Rusisë, Biden po ashtu paralajmëroi se nëse Rusia “vazhdon të ndërhyjë” në demokracinë amerikane, ai është i gatshëm të ndërmarrë veprime të mëtejshme.
Ai tha se kur bisedoi me presidentin rus, Vladimir Putin, të martën, e paralajmëroi atë se Shtetet e Bashkuara do t’iu përgjigjen ndërhyrjeve ruse në zgjedhje “në një mënyrë të matur dhe proporcionale”.
Biden tha se Shtetet e Bashkuara “mund të kishin shkuar më tej” me hakmarrjen, por ai zgjodhi të mos e bëjë këtë, sepse, siç tha, dëshiron të shmangë përshkallëzimin e situatës, raporton Rel.
Të enjten, Biden njoftoi për dëbimin e dhjetë diplomatëve rusë nga SHBA-ja, ndërsa shpalli sanksione kundër dhjetëra individëve dhe njësive të tjera ruse, për shkak të ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA më 2020, si dhe për shkak të sulmit masiv kibernetik SolarWinds, që ndodhi vitin e kaluar.
Thesari amerikan vendosi gjithashtu kufizime shtesë në tregun e borxhit sovran rus – një hap ky që pritet t’i tronditë investitorët.
Rusia i dënoi sanksionet e SHBA-së dhe paralajmëroi hakmarrje. “Sanksionet e reja amerikane janë një goditje serioze mbi marrëdhëniet dypalëshe”, tha Ministria e Jashtme ruse.
Sanksionet vijnë në kohën e tensioneve në rritje midis Perëndimit dhe Rusisë, për shkak të grumbullimit të trupave ruse në kufi me Ukrainën dhe burgosjes së liderit rus të opozitës, Aleksei Navalny, pas helmimit të tij me agjent nervor, vitin e kaluar.
Por, Biden po ashtu tha se ka hapësira ku SHBA-ja dhe Rusia “mund dhe duhet të punojnë së bashku”. Ai kujtoi këtu vendimin e tij për të zgjatur traktatin START- i Ri për reduktimin e armëve bërthamore.
Biden më herët ka propozuar mbajtjen e një samiti në Evropë me presidentin rus, Vladimir Putin.
“Ne mund t’i trajtojmë sfidat kritike globale që kërkojnë nga Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të punojnë së bashku, përfshirë këtu kërcënimet bërthamore nga Irani dhe Koreja e Veriut, përfundimin e kësaj pandemie globale dhe adresimin e krizës së ndryshimeve klimatike”, tha Biden.
Ai po ashtu vuri në dukje mbështetjen “e palëkundur” të SHBA-së për aleatët dhe partnerët në Evropë, si dhe shqetësimin e tij për grumbullimin e trupave ruse në kufirin e Ukrainës dhe në Krimenë e aneksuar.
“Tani është koha për qetësim. Rruga përpara është përmes dialogut dhe procesit diplomatik”, tha Biden.
Në një deklaratë të veçantë, pas shpalljes së sanksioneve, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, po ashtu shprehu shqetësimin e tij për fatin e Navalnyt.
“Mbetemi të shqetësuar për shëndetin dhe trajtimin e Navalnyt në burg dhe kërkojmë lirimin e tij pa kushte”, tha Blinken.
Navalny është arrestuar në një aeroport të Moskës në muajin janar, menjëherë pasi është kthyer nga Berlini, ku është shëruar nga helmimi me agjent nervor.
Ai është helmuar në muajin gusht, në një fluturim drejt Siberisë, ndërsa laboratorët perëndimorë kanë treguar se agjenti i përdorur në sulm ka qenë Noviçok.
Navalny ka thënë se atentati kundër tij është urdhëruar nga presidenti rus, Vladimir Putin, por këto pretendime janë hedhur poshtë nga Kremlini.
Aleatët e tij kanë thënë se gjendja shëndetësore e Navalnyt në burg është e dobët dhe se autoritetet nuk po i ofrojnë trajtimin e duhur mjekësor.
Në muajin mars, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë sanksionuar disa zyrtarë rusë për, siç është thënë, përfshirje në helmimin e Navalnyt.
Rasti i tij ka shkaktuar edhe një valë protestash në Rusi.
Gazetari Vullnet Krasniqi, e pranon në Big Brother VIP Kosov...
Të shtëna në Bulqizë, atentat ndaj një personi që po dilte n...
Arsenali po synon shkëmbimin e lojtarëve me Milanin për ta m...
Zelensky: Ushtarët e Koresë së Veriut po dërgohen në betejë ...
Gjendet pa shenja jete një 27 vjeçare në Zhur të Prizrenit
Vëllai i Madh me ofertë për Laurentin dhe Fitimin, njërin do...