Google ADS

Dora e djathtë e Prigozhinit në Wagner varroset në heshtje pranë Moskës

14:23 | 31 Gusht 2023
E.H

Bashkëthemeluesi dhe komandanti ushtarak i grupit mercenar rus Wagner, Dmitry Utkin, u varros më 31 gusht pranë Moskës, pasi vdiq pas rrëzimit të avionit që vrau edhe shefin e tij, Yevgeny Prigozhinin.

Dmitry Utkin, 53 vjeç, nofka “Wagner” e të cilit ia dha emrin ushtrisë mercenare, u varros në Mytishchi, në periferi të Moskës, në një ceremoni të rrethuar nga policia ushtarake ruse, sipas uebfaqes së lajmeve Shot.

Prigozhini ishte varrosur më 29 gusht në një ceremoni po aq të heshtur në qytetin e tij të lindjes, Shën Petersburg, që ishte në kontrast të thellë me personalitetin e tij të zhurmshëm në rrjete sociale.

Përpara se të ndihmonte për ta themeluar Wagnerin si krahu i djathtë të Prigozhinit, Utkin shërbeu si oficer i forcave speciale në shërbimin e inteligjencës ushtarake GRU, ku mbante gradën e nënkolonelit.

Ai luftoi për Wagnerin për t’i mbështetur fushatat ushtarake të Moskës në Siri dhe Ukrainë dhe u fotografua në vitin 2016 në Kremlin me presidentin e Rusisë, Vladimir Putinin.

Në fund të qershorit, një burim i tha agjencisë së lajmeve Reuters se Utkin ishte udhëheqësi i një grupi të armatosur të kryengritësve të Wagnerit që marshuan drejt Moskës për ta mbështetur kërkesën e Prigozhinit që udhëheqja ushtarake e Rusisë të jepte dorëheqje për dështimet e saj në atë që Moska e quan “operacioni i saj special ushtarak” në Ukrainë.

Rebelimi jetëshkurtër paraqiti sfidën më të madhe për pushtetin e Putinit që kur ai erdhi në pushtet në vitin 1999, duke e shtyrë presidentin rus t’i akuzonte autorët e rebelimit për “tradhti” dhe “thikë pas shpine”.

Utkin, Prigozhin dhe kreu i logjistikës i Wagner, Valery Chekalov, ishin në mesin e dhjetë personave që vdiqën kur avioni privat Embraer Legacy 600 i Prigozhinit u rrëzua nga qielli në veri të Moskës më 23 gusht.

Shumë kritikë të Putinit kanë vdekur në rrethana të paqarta gjatë 23 viteve të tij në pushtet, ose për pak i kanë shpëtuar vdekjes.

Kremlini thotë se të gjitha shkaqet e mundshme të rrëzimit do të hetohen, por ka hedhur poshtë si një “gënjeshtër absolute” sugjerimin se Putini urdhëroi vdekjen e Prigozhinit dhe njerëzve të tij.

Pasi një marrëveshje i kishte dhënë fund kryengritjes, Utkin kishte thënë në një fjalim para luftëtarëve të Wagnerit: “Ky nuk është fundi. Ky është vetëm fillimi i punës më të madhe në botë që do të kryhet shumë shpejt”, duke shtuar në anglisht: “Dhe mirësevini në ferr!”/rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme