Mes akuzave të reja të ngritura ndaj ish-Presidentit Donald Trump këtë javë, ishte edhe ajo për mbajtjen e paligjshme të një dokumenti të klasifikuar ku detajoheshin planet operacionale amerikane për një sulm të mundshëm ndaj Iranit.
Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine, akuzat e reja kanë të bëjnë me përpjekjet për “të ndryshuar, shkatërruar, dëmtuar, apo fshehur provat” gjatë hetimit për dokumentat e klasifikuara që mori me vete në shtëpinë e tij në Florida.
Ndaj ish-Presidentit Donald Trump dhe një punonjësi të tij në klubin Mar-a-Lago janë ngritur tashmë tre akuza të reja penale.
Prokurorët federalë në Florida ia shtuan akuzat e reja 37 akuzave të mëparshme të ngritura për marrjen e paligjshme të dokumentave në përfundim të mandatit të tij presidencial dhe për mbajtjen e dokumentave pasi iu kërkua në mënyrë të përsëritur që t’i kthente.
Zoti Trump akuzohet se ai dhe ndihmësat e tij i kërkuan një punonjësi në Mar-a-Lago që të fshinte filmimet e kamerave në pronën e tij, në përpjekje për të penguar hetimin për dokumentat e klasifikuara.
Ish-presidenti akuzohet edhe për mbajtjen e qëllimshme të informacionit për mbrojtjen kombëtare.
Ai akuzohet se ua tregoi planet operacionale për një sulm ndaj Iranit një autori, një botuesi dhe dy punonjësve në klubin e tij në Bedminster, Nju Xhersi, në korrik 2021.
Një analiste për çështjet e sigurisë dhe diplomacisë thotë se ekzistenca e këtyre planeve nuk do të thotë se Shtetet e Bashkuara po planifikonin ta sulmonin Iranin, por se Pentagoni përgatit plane për rastin më të keq të mundshëm.
Ajo thotë se veprimi për të cilin akuzohet ish-Presidenti Trump, pra ndarja me të tjerë e informacionit të këtij dokumenti të klasifikuar, është e paprecedentë në historinë amerikane.
“Është detyra e ushtrisë që të shpresojë për më të mirën dhe të planifikojë për më të keqen. Kështu që ekzistojnë shumë plane lufte. Por qartësisht ato që kanë të bëjnë me Iranin janë jashtëzakonisht serioze për shkak të historikut të Iranit me prodhimin e armëve bërthamore”, tha zonja Shea.
Ish-Presidenti Trump i ka hedhur poshtë në mënyrë të përsëritur hetimet e shumta federale që po bëhen ndaj tij, duke thënë se ato janë të motivuara politikisht, për shkak se ai është kandidati kryesor në garën për të fituar emërimin e Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
“Nuk e kisha menduar kurrë se diçka e tillë mund të ndodhte në Amerikë; kurrë nuk mendova se mund të ndodhte. I vetmi krim që kam bërë është se kam mbrojtur i patrembur vendin tonë nga ata që duan ta shkatërrojnë. Që nga fillimi, demokratët përgjuan fushatën time. A e mbani mend? Ata më sulmuan me një valë hetimesh të manipuluara”, tha ai.
Ish-presidenti ka thënë gjithashtu se akuzat mund të provokojnë dhunë dhe mund ta përçajnë vendin thellë.
Zoti Trump dhe aleatët e tij mund të përballen me akuza penale edhe muajin e ardhshëm në Xhorxhia, për përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, kur ai humbi përballë demokratit Joe Biden.
Ish-Presidenti Trump vazhdon të jetë nën hetim federal edhe në Uashington për përpjekjet e tij të gjera për të ndalur transferimin paqësor të pushtetit pas humbjes së tij në zgjedhje, ndër të tjera edhe për rolin e tij në sulmin e 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit nga një turmë mbështetësish të tij, sulm që u pasua nga shtatë persona të vdekur./voa/
Protestë masive në Beograd kundër Vuçiqit dhe qeverisë së ti...
Salah thyen një tjetër rekord në Premier League
Aeroplani bie në qendër të qytetit Gramado në Brazil, 10 per...
Real Madridi shënon fitore të madhe ndaj Sevillës, ngritët n...
Ftohtë dhe reshje borë, parashikimi i motit për pesë ditët e...
”Ti je ma rrugaçe se unë”, Përplasen sërish Driloni e Xhenet...