Gjykatësja federale që mbikëqyr çështjen penale ndaj ish-presidentit Donald Trump lidhur me dokumentet e klasifikuara, pritet të caktojë të premten një datë për gjyqin.
Është një vendim i rëndësishëm pasi mund të përcaktojë nëse kandidati kryesor i Partisë Republikane do të dalë në gjyq këtë vit për t’u përballur me akuzat se mori me vete të dhëna tepër sekrete kur iku nga Shtëpia e Bardhë dhe i fshehu ato nga autoritetet.
Gjyqi në shtetin e Floridës aktualisht është caktuar për më 20 maj. Por gjyqtarja Aileen Cannon e ka shtyrë tashmë disa herë datën lidhur me këtë çështje dhe ka sinjalizuar se gjatë seancës së të premtes do ta rishikojë datën e gjykimit.
Prokurorët federalë kërkuan të enjten që data e gjyqit të jetë më 8 korrik. Avokatët mbrojtës të zotit Trump thanë se është e pamundur të mbahet një proces gjyqësor i drejtë këtë vit, ndërsa ish-presidenti po kandidon për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë, megjithatë ata propozuan 12 gushtin si datë të mundshme për të filluar përzgjedhjen e jurisë.
Data e gjyqit ka marrë një rëndësi edhe më të madhe duke pasur parasysh pasigurinë lidhur me një çështje tjetër federale në Uashington, ku zoti Trump akuzohet se u përpoq të përmbyste rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
Gjykata e Lartë tha këtë javë se në fund të prillit do të dëgjojë argumentet pro dhe kundër lidhur me pretendimin e zotit Trump se ai ka imunitet nga ndjekja penale, duke shkaktuar pasiguri të mëdha nëse gjyqi për këto akuza, të ngritura po ashtu nga prokurori i posaçëm, Jack Smith – do të ishte e mundur të zhvillohej përpara zgjedhjeve të nëntorit.
Nëse gjyqi për dokumentet e klasifikuara në Florida shtyhet deri pas zgjedhjeve dhe ai për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve në Uashington nuk fillon këtë vit, kjo do të thotë se votuesit do të shkojnë në zgjedhje pa e ditur fatin e dy çështjeve madhore kundër ish-presidentit.
Seanca e së premtes është e para që është e hapur për këtë çështje prej disa muajsh.
Ish-presidenti Trump përballet me 40 akuza penale në Florida, të ngritura nga prokurori i posaçëm Smith, sipas së cilave ai mori me vete dhjetëra dokumente të klasifikuara kur u largua nga Shtëpia e Bardhë dhe i çoi ato në Mar-a-Lago. Më pas ai refuzoi kërkesat e Departamentit të Drejtësisë për t’i kthyer ato.
Prokurorët kanë thënë se “nuk ka pasur kurrë më parë një rast në historinë amerikane kur një ish-zyrtar të ketë kryer veprime të ngjashme”.
Ish-presidenti Trump dhe avokatët e tij kanë mohuar çdo shkelje. Ata i kërkuan gjykatëses Cannon javën e kaluar që ta ndërpresë çështjen, duke përmendur mes të tjerash argumentin e imunitetit, që po shqyrtohet aktualisht nga Gjykata e Lartë./VOA
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...