“Djalit tim i mungon babai”, rrëfimi prekës i Zonjës së Parë të Ukrainës për ndikimin e luftës

10:38 | 5 Shtator 2023
A Z

Në një intervistë shumë personale për BBC-në, zonja e parë e Ukrainës Olena Zelenska ka folur për ndikimin emocional që lufta ka pasur në familjen e saj

“Kjo mund të jetë pak egoiste, por unë kam nevojë për bashkëshortin tim pranë meje”, tha ajo.

Kur Rusia nisi të ashtuquajturin “operacion special” në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, Olena Zelenska kaloi muaj të tërë duke u fshehur në vende sekrete me fëmijët e saj.

Ajo e përshkroi gjendjen e saj emocionale në fillim të pushtimit si “një ndjenjë konstante adrenaline”, teksa me kalimin e kohës e kuptoi se ishte e nevojshme të qetësohej dhe të fillonte të jetonte sipas kushteve të krijuara.

“Me burrin nuk jetojmë bashkë, familja është e ndarë. Ne kemi mundësinë ta shohim njëri-tjetrin, por jo aq shpesh sa do të donim. Djalit tim i mungon babai. Por ne qëndrojmë të fortë, kemi forcë si emocionalisht ashtu edhe fizikisht.Dhe jam e sigurt se do ta përballojmë së bashku”, rrëfen Olena.

Zonja e Parë dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ishin dashuruar që në shkollë të mesme dhe që nga ajo kohë që vazhduan të punonin së bashku në një trupë humori dhe studio televizive, ai si aktor dhe ajo si skenariste, raporton abcnews.al.

Tani, ajo reflekton se nuk e kishte ëndërruar kurrë që bashkëshorti i saj të bëhej “figura historike” që është sot, duke thënë se e kishte marrë malli dhe kishte nevojë që ai të qëndronte në krah si bashkëshort.

“Unë besoj në të. Dhe e mbështes. E di që ka forcë të mjaftueshme. Për çdo person tjetër që njoh, mendoj se do të ishte shumë më e vështirë kjo situatë.

Ai me të vërtetë është një person shumë i fortë dhe elastik. Dhe ky elasticitet është ai që ne të gjithë kemi nevojë për momentin”, tregon Zonja e Parë.

Puna e saj e fundit si zonja e parë është fokusuar në ndihmën e ukrainasve që të përballen me ndikimin psikologjik të luftës dhe ajo po përgatitet të bashkëorganizojë një samit në Kiev që do të fokusohet në shëndetin mendor.

Aktori dhe shkrimtari britanik Stephen Fry, një aktivist i shquar për çështjet e shëndetit mendor është bashkë-prezantuesi tjetër.

“Unë me të vërtetë shpresoj se mund të frymëzoj dikë, mund t’i jap dikujt shpresë ose këshilla, ose të dëshmoj me shembullin tim se jetojmë, punojmë, ecim përpara,” tha Olena Zelenska.

“Askush nuk mund ta dijë se çfarë i pret ata. Në fund të fundit, askush nuk mund ta imagjinonte që në shekullin e 21-të, një luftë e tillë do të fillonte në mes të Europës, se do të ishte kaq mizore.

Një luftë e përgjakshme. Pra. Nuk e kam imagjinuar kurrë që do të kisha marrë këtë rol në këtë kohë”.

Ukrainasit nuk mund të jenë të sigurt për të nesërmen ose të kenë besim në të ardhmen, shpjegoi ajo por ata kanë shpresë.

“Ne kemi shpresa të mëdha për fitore, por nuk e dimë se kur do të vijë. Dhe kjo pritje e gjatë, stresi i vazhdueshëm, ka ndikimin e vet.”/abcnews.al

Të ngjashme