Google ADS

Dita botërore e gjuhës amtare

11:19 | 21 Shkurt 2017
Arbresh.info

6000 gjuhë janë të regjistruar në botë, sipas UNESCO-s. Gati gjysma e tyre mund të vdesë, më të rrezikuarat janë gjuhët indigjene.

Gjithkund në botë gjuhët janë të rrezikuara nga shuarja -në Gjermani psh. gjuha e sorabishtes së ulët, e cila flitet në Gjermani nga gati 7000 vetë, apo në SHBA-në veriore, ku rreth 250 vetë flasin gjuhën amtare Cayga. Ndërsa gjuhën indigjene, Dalabon e flasin vetëm 11 vetë.

Me Ditën Botërore të Gjuhës Amtare, OKB kërkon të tërheqë vëmendjen tek larmia gjuhësore e njerëzimit. Sipas UNESCO-së në të gjithë botën fliten 6000 gjuhë. 2500 nga këto janë të kërcënuara nga vdekja. Katharina Haude, studiuese në Qendrën Kombëtare për Studime Shkencore në Francë, thotë se “shenja e qartë për rrezikimin e gjuhës, është kur prindërit nuk e flasin gjuhën me fëmijët.”

Ndikimi i globalizimit

Studiuesja Katharina Haude e ka vënë re këtë fenomen në Amerikën Latine. Për një periudhë prej 10 vjetësh ajo udhëtoi në Santa Ana del Yacuma në veri të Bolivisë. 12.000 banorët e qytetit janë një objekt interesant studimi për linguistët. Këtu jetojnë 1500 vetë që flasin gjuhë indigjine, Movima, por praktikuesit e saj janë mbi moshën 70 vjeç. Studiuesi, Paul Trilsbeek nga Instituti Max-planck për psikolinguistikën në Nimvegen, thotë se për shuarjen e gjuhëve ka shumë arsye, por “një faktor është globalizimi”.

“Njerëzit mendojnë, se ata kanë shanse më të mira në jetë, nëse flasin gjuhë me shtrirje të gjerë”, thotë ai .Faktor tjetër sipas tij është largimi i njerëzve nga zonat rurale.

Shuarja e gjuhëve

Më të rrezikuara janë gjuhët indigjene, të cilat nuk shkruhen. Ndërsa në Bolivi dobësimi i gjuhës Movima ka lidhje edhe me sistemin shkollor. “Në vitet 50-të në Bolivi u ndërtuan shkolla, në të cilat ofrohej vetëm spanjishtja”, thotë studiuesja, Katharina Haude.

Sipas UNESCO-s nga viti 1950 janë shuar më shumë se 200 gjuhë. Sipas linguistit, Paul Trilsbeek rëndësi vendimtare ka motivimi. Në projektin e tij për dokumentimin e gjuhëve, synimi ishin mbledhja e regjistrimeve që mund të përdoreshin edhe si bazë mësimore. “Fillimisht duhet të krijohet nga e para motivi për të transmentuar gjuhën tek gjeneratat e tjera”, kërkon studiuesi. Përdorimi i smartphonëve dhe internetit ka efekte pozitive. “Kështu tani gjen online më shumë gjuhë indigjene, psh, në YouTube. Edhe kjo mund të ndihmojë në ruajtjen e gjuhëve”, thotë Trilsbeek./DW

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme