Disa fakte për zgjedhjet në SHBA

23:47 | 5 Nëntor 2024
E.G

Miliona amerikanë shkuan në qendrat e votimit të martën për të zgjedhur presidentin që do të drejtojë vendin për katër vitet e ardhshme.

Radio Evropa e Lirë ka listuar disa nga faktet për këto zgjedhje.

Fitues nuk është kandidati që merr më së shumti vota nga populli.

Të dy kandidatët konkurrojnë për të fituar garën në të 50 shtetet. Çdo shtet ka një numër të caktuar votash – bazuar kryesisht në numrin e popullsisë – që përbëjnë të ashtuquajturin Kolegj Zgjedhor. Për t’u zgjedhur president, kandidati duhet t’i sigurojë së paku

270 vota nga gjithsej 538 sa ka Kolegji Zgjedhor.

Është e mundur që një kandidat të fitojë më shumë vota në nivel kombëtar – si për shembull Hillary Clinton në vitin 2016 – por prapë të mos jetë fitues.

Vëmendja më e madhe shkon te presidenti i ardhshëm, por në këto zgjedhje qytetarët votojnë edhe për anëtarët e rinj të Kongresit – institucionit ku miratohen ligjet.

Kongresi përbëhet nga Dhoma e Përfaqësuesve, ku të 435 vendet janë në garë, dhe Senati, prej të cilit 34 vende janë në garë.

Aktualisht, republikanët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa demokratët Senatin.

Zakonisht, fituesi i zgjedhjeve presidenciale shpallet natën e zgjedhjeve, por në vitin 2020 janë dashur disa ditë për t’i numëruar të gjitha votat.

Më shumë se 82 milionë njerëz votuan para ditës së zgjedhjeve dhe sondazhet sugjerojnë se gara për Shtëpinë e Bardhë është kokë më kokë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme