Thirrjet e tij për një armëpushim në Ukrainë gjatë Pashkëve ortodokse nuk morën përgjigje. Takimi që kishte planifikuar me kreun e Kishës Ortodokse Ruse u anulua. Po kështu u rrëzua edhe propozimi për një vizitë në Moskë. Madje edhe përpjekja e tij për të demonstruar miqësinë ruso-ukrainase nuk pati rezultat.
Papa Françesku nuk ka arritur të lërë gjurmët e tij diplomatike gjatë luftës së Rusisë në Ukrainë, me sa duket në pamundësi për të shfrytëzuar autoritetin e tij moral, pushtetin e butë apo një linjë drejtpërdrejtë komunikimi me Moskën, për t’i dhënë fund gjakderdhjes apo për të siguruar të paktën një armëpushim.
Në fakt Papa Françesku e ka gjetur veten në pozicionin e pazakontë kur i duhet të shpjegojë refuzimin e tij për ta denoncuar Rusinë apo Presidentin Vladimir Putin me emër – papët nuk bëjnë një gjë të tillë, tha ai – ashtu siç edhe i është dashur të mbrojë marrëdhënien “shumë të mirë” me kreun e Kishës Ortodokse Ruse, i cili e ka justifikuar luftën mbi baza shpirtërore.
Megjithëse lista e gjatë e këtyre rrugëve pa krye mund të dëshmojë për një lloj paefektshmërie, kjo është në linjën e diplomacisë unike të Vatikanit që gërsheton realitetet gjeopolitike me prioritetet shpirtërore, edhe kur ato gjenden në konflikt. I tillë është rasti i Ukrainës. Papa Françesku është përpjekur të shërbejë si udhëheqës shpirtëror për besimtarët në Ukrainë, duke bërë thirrje pa pushim për paqe, duke dërguar kardinalët së bashku me ndihmat humanitare, dhe madje edhe duke propozuar që një anije me flamurin e Vatikanit të evakuojë civilët e bllokuar në qytetin e rrethuar Mariupol.
Por, ai edhe ka mbajtur gjallë politikën afatgjatë të Vatikanit për të shëruar marrëdhëniet me Kishën Ortodokse Ruse, e cila u nda nga Roma së bashku me kishat e tjera ortodokse mbi 1 mijë vite më parë. Deri rishtazi, Papa Françesku shpresonte se do të realizonte një takim të dytë me Partiarkun rus Kirill, edhe ndërsa forcat ruse bombardonin civilët.
Papa Françesku njoftoi së fundmi se takimi i tyre i planifikuar për t’u mbajtur në Jeruzalem në muajin qershor është anuluar, për shkak se diplomatët e Vatikanit menduan se do të dërgonte një mesazh “çorientues”. Por, ai i tha gjithashtu një gazete italiane të martën se kishte ofruar të shkonte në Moskë për t’u takuar me Presidentin Putin, dhe ngriti pikëpyetjen se mos ndoshta zgjerimi drejt lindjes i NATO-s kishte provokuar luftën.
Kritikët vënë në dukje se Papa Françesku vazhdoi të komunikonte me Moskën edhe ndërsa kryheshin mizoritë e raportuara, duke sjellë kështu në mendje paralelizma me heshtjen që mendohet se mbajti Papa Piu XII, i cili kritikohet nga disa grupe hebreje se nuk foli mjaftueshëm kundër holokaustit. Vatikani këmbëngul se diplomacia e qetë e Papa Piut ndihmoi në shpëtimin e jetëve.
“Papa Françesku po bën çfarë të mundet, me prioritetet e duhura, për të ndalur luftën, për të ndalur vuajtjet e njerëzve”, thotë Anne Leahy, e cila ishte ambasadore e Kanadasë në Vatikan gjatë periudhës 2008-2012 dhe ambasadore në Rusi në fund të viteve 1990.
“Por ai po i mban të hapura kanalet e komunikimit me të gjitha mënyrat e mundshme. Edhe nëse nuk ka rezultat, mendoj se ideja është që ta vazhdojë përpjekjen”, thotë ajo.
Zonja Leahy vë në dukje se Papa Françesku duhet të ketë si prioritet madhor objektivin e vendosur nga ungjilli, bashkimin e të krishterëve, dhe se marrëdhëniet me ortodoksët duhet të mbeten parësore.
“Diplomacia është në shërbim të misionit të kishës dhe jo e kundërta”, tha ajo gjatë një interviste nëpërmjet telefonit.
Ndonjëherë, fjalët dhe gjestet e Papa Françeskut duken kontradiktore. Një ditë, ai ulet për një videokonferencë me Partiarkun Kirill, dhe në faqen në internet të Kishës Ortodokse Ruse shfaqet në vend kryesor deklarata ku thuhet se të dyja palët shpresojnë për “një paqe të drejtë”. Tre javë më vonë, ai puth një flamur të dëmtuar ukrainas që e kanë sjellë nga qyteti i Buçës, ku civilët ukrainas u gjetën të vrarë me plumb dhe me duart e lidhura.
Vatikani ka një traditë të gjatë të kësaj diplomacie me dy anë. Gjatë Luftës së Ftohtë, politika e njohur si “Ostpolitik” nënkuptonte se Vatikani mbante kanale të hapura komunikimi me po ato qeveri komuniste që po persekutonin besimtarët në terren, duke pezmatuar shpesh kishat vendase.
Vendimi i Papa Françeskut për ta vazhduar “diplomacinë klasike të Vatikanit, Ostpolitik, të dialogimit me armikun dhe të mos mbylljes së derës, është i debatueshëm”, thotë Imzot Stefano Caprio, profesor i historisë së kishës në Institutin Oriental Papnor.
“Ata që janë të pakënaqur ngaqë papa nuk po i mbron më shumë, kanë të drejtë, por ata që janë në anën e diplomacisë dhe thonë se ‘nuk mundemi t’i flakim këto marrëdhënie’ kanë gjithashtu të drejtë. Janë qartësisht në kundërshti”, thotë ai.
“Por, duke qenë se nuk po flasim për një argument besimi – nuk po flasim për personat që përbëjnë Trininë e Shenjtë – mund të kemi opinione që ndryshojnë nga ato të papës”, shton ai.
Në shumë mënyra, roli më shumë vëzhgues i Papa Françeskut përgjatë konfliktit të Ukrainës mund ta ketë origjinën tek pozicioni që ai mbajti kur Rusia aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë në vitin 2014, kur Vatikani u shfaq neutral, të paktën publikisht, megjithë thirrjet që Papa Françesku ta denonconte Moskën, të bëra nga Katolikët Grekë të Ukrainës, që janë një pakicë në këtë vend me shumicë ortodokse.
Në vend të kësaj, Papa Françesku e përshkroi konfliktin si frutin e një “dhune vëllavrasëse”, sikur të dyja palët të ishin njësoj fajtore dhe konflikti të ishte një çështje e brendshme ukrainase.
“Eksperienca ime në 2014 është se ekzistenca e Katolikëve Grekë të Ukrainës dukej si e sikletshme dhe irrituese për Vatikanin”, thotë John McCarthy, i cili në atë kohë ishte ambasador i Australisë në Vatikan. “Prioriteti i tyre ishte marrëdhënia me ortodoksët rusë” dhe arritja e një takimi me Patriarkun Kirill.
Papa Françesku e realizoi më në fund takimin e shumëpritur, duke e përqafuar Patriarkun Kirill në një sallë VIP në aeroportin e Havanës, në Kubë, më 12 shkurt 2016. Ky ishte takimi i parë mes një pape dhe një patriarku rus që nga ndarja (skizma) e kishës në vitin 1054.
Ata nënshkruan një deklaratë të përbashkët që u përshëndet nga Vatikani në atë kohë si një arritje madhore në marrëdhëniet ekumenike. Por, deklarata i zemëroi Katolikët Grekë të Ukrainës pasi, ndër të tjera, i referohej atyre si një “komunitet kishtar”, sikur të ishin një kishë e veçantë dhe jo pjesë e grigjës së Romës, si dhe nuk përmendte rolin e Rusisë në konfliktin separatist në Ukrainën lindore.
Tashmë në vitin 2022, Papa Françesku sërish trazoi kishën vendase të Ukrainës: Vatikani sugjeroi që një grua ukrainase dhe një grua ruse të mbartin së bashku kryqin gjatë proçesionit me pishtarë që zhvillohet në Vatikan të Premten e Mirë, në Koloseum. Gjesti i parapriu thirrjes që mbeti pa përgjigje të Papa Françeskut për një armëpushim për Pashkët dhe synonte të demonstronte mundësinë e një pajtimi të ardhshëm ruso-ukrainas.
Por ambasadori ukrainas kundërshtoi dhe kreu i besimtarëve ortodoksë grekë të Ukrainës, Kryepeshkopi Sviatoslav Shevchuk, e cilësoi propozimin si “të papërshtatshëm dhe të paqartë”, pasi nuk mori parasysh faktin që Rusia kishte pushtuar Ukrainën.
Në fund, Vatikani bëri kompromis: Gratë mbajtën kryqin, por në vend që të lexonin me zë të lartë një meditim që do të bënte thirrje për pajtim, qëndruan së bashku në një lutje të heshtur.
Anne Leahy, ish-ambasadorja kanadeze, thotë se rezultati ishte një shembull klasik i kujdesit shpirtëror papnor që gërshetohet me diplomacinë e Vatikanit: Papa Françesku dëgjoi ankesën e Kryepeshkopit Shevchuk dhe modifikoi ritualin, duke mbajtur gjallë axhendën e tij më të gjerë të dialogut me Rusinë.
Duke kujtuar fjalën “pontiff”, e cila vjen nga fjala italiane “urë”, ajo thotë se: “Është puna e një diplomati, dhe sigurisht e një pape suprem, i cili ka fjalën ‘urë’ të shkruar në titullin e tij, që të mbajë kanalet hapur”.
Imzot Roberto Regoli, profesor i historisë së kishës dhe ekspert për diplomacinë e Vatikanit në Universitetin Papnor Gregorian, tha se kanalet diplomatike me ortodoksët janë të rëndësishme tani, por edhe në të ardhmen, kur përfundimisht Ukraina do të duhet të rindërtohet.
“Rindërtimi i një vendi… kërkon përfshirjen e të gjitha forcave, madje edhe ato fetare”, tha ai. “Pra, mbajtja e këtyre kanaleve të hapura është e dobishme për të tashmen, por edhe më shumë për të ardhmen, sepse do të duhen dekada për rindërtimin”./VoA/
AUV në pritje të rezultateve për mandarinat e importuara nga...
E akuzoi se ka pëlqim ndaj tij, Gresa shpërthen në lot nga X...
Grupi “Shkodra Elektronike” me një falënderim të veçantë për...
Haziri në 35-vjetorin e LDK-së: Kjo familje e Rugovës ia dha...
Isak, objektiv i gjigantit francez
Eskalon situata mes Xuxit dhe Gresës, e lagin njëri-tjetrin ...