Google ADS

Dioksidi i karbonit, nivel rekord në atmosferë

20:59 | 30 Tetor 2017
Trina Galanxhi

Përqëndrimi i dioksidit të karbonit në atmosferën e Tokës arriti një rekord të ri në vitin 2016.

Sipas Organizatës Botërore Meteorologjike, rritja e nivelit të CO2-shit gjatë vitit të shkuar ishte 50% më e lartë sesa mesatarja e 10 viteve të fundit.

Studiuesit thonë se, kombinimi i aktiviteteve njerëzore dhe fenomenit atmosferik të njohuri si “El Nino” bënë që dioksidi i karbonit të arrijë nivelin më të lartë prej 800 mijë vitesh.

Shkencëtarët mendojnë se kjo rritje bën të pavlefshëm objektivat e komunitetit ndërkombëtar për kufizimin e rritjes së temperaturave globale.

Buletini i gazrave serë, i publikuar nga Organizata Botërore Meteorologjike, është rezultat i matjeve të bëra në 51 vende të botës për rritjen e nivelit të dioksidit të karbonit, metanit dhe oksidit të azotit.

Shifrat e publikuara janë sasia e gazrave serë që mbesin në atmosferë, pasi një pjesë e madhe e tyre thithet nga oqeanet dhe biosfera.

Studimi zbuloi se, në vitin 2016, dioksidi i karbonit shënoi 403.3 pjesë për milion, nga 400 në 2015-n. Studiuesit thanë se kjo është rritja më e madhe e 30 viteve të fundit.

Aktiviteti i njeriut padyshim që është një nga shkaqet e rritjes së gazrave serë, por edhe thatësirat e shkaktuara nga “El Nino” kanë rolin e tyre, pasi reduktojnë aftësinë e bimësisë që të thithë dioksidin e karbonit.

Raporti ngre një tjetër shqetësim, rritjen e mistershme të nivelit të metanit në atmosferë, një temë kjo e prekur shumë pak nga komuniteti ekologjik, megjithëse prej kohësh një pjesë e ekspertëve mendojnë se metani i prodhuar nga bujqësia dhe blegtoria është një nga shkaqet kryesore, mbase numri një në problemin e gazrave serë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme