Administrata Kombëtare për Oqeanet dhe Atmosferën, NOAA, thotë se dielli lëshoi të martën valën më të madhe të flakës së zjarrtë në afro një dekadë, vetëm pak ditë pasi stuhitë e forta diellore goditën Tokën duke krijuar fenomenin që njihet si “Aurora Borealis” ose dritat veriore, të pazakonta në shumë pjesë të botës.
Vala e flakës diellore shkaktohet nga një shpërthim intensiv rrezatimi që vjen nga çlirimi i energjisë magnetike që lidhet me ato që njihen si njolla në sipërfaqen diellore.
Ky është shpërthimi më i madh i këtij cikli 11-vjeçar të diellit, që po i afrohet kulmit, sipas NOAA-s. Lajmi i mirë është se kësaj here planeti ynë është jashtë trajektores së valës magnetike, sepse shpërthimi ndodhi në një pjesë të sipërfaqes së diellit në drejtim të kundërt të Tokës.
Observatori i Dinamikave Diellore, i NASA-s, e vlerësoi shpërthimin e ndritshëm të rrezeve X, si më të fuqishmin që nga viti 2005.
Bryan Brasher me Qendrën e Parashikimit të Motit Hapësinor në Boulder të Kolorados, pjesë e NOAA-s, tha se ka mundësi që kur shkencëtarët të mbledhin të dhënat edhe nga burime të tjera, të rezultojë që vala e zjarrtë magnetike të ketë qenë edhe më e fortë.
Kjo vjen pas gati një jave çlirimesh të valëve magnetike masive nga atmosfera e jashtme e diellit, që njihet si Korona. Korona çliron kryesisht dritë në formë rrezesh X dhe ultra vjollcë. Vala magnetike përbënte rrezik për rrjetin e komunikimit në tokë dhe orbitë si dhe për sistemin energjetik.
NASA tha se stuhia gjeomagnetike e fundjavës bëri që një nga satelitët e saj mjedisorë të rrotullohej papritur për shkak të uljes së lartësisë si rezultat i stuhisë hapësinore dhe të aktivizonte sistemin e vetëmbrojtjes për rrethana të tilla. Shtatë astronautët në bordin e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës u këshilluan të qëndronin brenda zonave që ofrojnë mbrojte të fortë nga rrezatimi. NASA tha se ekuipazhi nuk ishte në ndonjë rrezik./voa
“Fëmijët nën 16 vjeç pa rrjete sociale!” Australia, gati nda...
Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ish...
Vengu: Shqipëria synon një fazë të re bashkëpunimi me Pentag...
Edi i hedh kunja Gjestit: Burri që o burrë duhet me i peshu ...
Xheneta për Gjestin: Kur ka kajt për mua, me ka bërë krenare...
Gjykata Kushtetuese konfirmon një nga masat e sigurisë ndaj ...