Dhjetëra palestinezë të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë

09:18 | 20 Dhjetor 2023
E.G

Ushtria izraelite ka bastisur dhe ndaluar stafin e dy prej spitaleve të fundit funksionale në veri të Gazës, teksa autoritetet izraelite deklarojnë se ushtria është duke punuar për të çrrënjosur krejtësisht militantët e Hamasit.

Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën me 2.3 milionë banorë, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Izraeli ka bombarduar të martën qytezat në jug të Gazës, duke vrarë të paktën 45 palestinezë, teksa çon përpara ofensivën, me mbështetje të Shteteve të Bashkuara, pavarësisht rritjes së alarmeve ndërkombëtare.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, ka paralajmëruar se fushata në jug të Gazës, do të zgjasë me muaj.

Në një spital të qytezës jugore Rafah, Mahmoud Zoarab, ua ka dhënë lamtumirën dy fëmijëve të tij – të birit 2 vjeç dhe vajzës së lindur dy javë më parë – të dy të vrarë nga një sulm ajror që ka goditur shtëpinë e tyre në orët e para të së martës.

Ai dhe gruaja e tij janë plagosur në sulm.

“Vetëm dy javë jetë. Ende as nuk e kemi regjistruar emrin e saj”, ka thënë gjyshja e fëmijëve të vdekur, Suzan Zoarab.

Duke iu drejtuar kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, ajo ka qarë dhe ka pyetur nëse “ai mendon se duke vrarë fëmijë do të arrijë diçka? A kanë fituar? A ka fituar çfarë ka dëshiruar?”

Ministri izraelit Gallant, ka thënë se forcat izraelite janë duke hyrë në sistemin e tuneleve në veri të Gazës, në kuadër të “pastrimit final” të rajonit nga militantët./rel/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme