Google ADS

Dhjetëra mijëra burra ukrainas ikën “ilegalisht” në Moldavi

12:24 | 16 Korrik 2024
E.G

Andrei, një shtetas ukrainas 25-vjeçar nga një fshat në rajonin e Odesës u arratis në Republikën e Moldavisë menjëherë pasi autoritetet ukrainase ndryshuan legjislacionin në prill dhe e ulën moshën e mobilizimit, nga 27 në 25 vjeç.

I riu iu bashkua radhëve të burrave ukrainas të moshave 18 deri në 59 vjeç, të cilët kanë hyrë në Republikën e Moldavisë, duke e kaluar kufirin ilegalisht, pas pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga trupat ruse.

Statistikat e ofruara nga Policia Kufitare dhe Inspektorati i Përgjithshëm për Migracionin tregojnë se, nga 24 shkurti i vitit 2022 deri më 31 maj të vitit 2024, gjithsej rreth 23.500 burra ukrainas kanë hyrë ilegalisht, pra duke anashkaluar pikat e kalimit kufitar.

Me prindërit e tij, Andrei vendosi të ikte kur drejtori i kompanisë për të cilën punonte, u rekrutua gjithashtu në ushtri.

Ai la pas prindërit e tij 60-vjeçarë, por destinacioni i tij ishte i qartë paraprakisht: gruaja dhe djali i tij u strehuan në Republikën e Moldavisë gjatë muajve të parë të luftës, duke vizituar shtëpinë çdo disa muaj.

“Megjithatë, kuptova që kjo nuk mund të zgjasë përgjithmonë dhe vendosa që duhet të jem me ta”, thotë Andrei.

Ai foli online, duke fshehur identitetin e tij, sepse arratisja e tij është e dënueshme në Ukrainë. Republika e Moldavisë, megjithatë, ka një këndvështrim tjetër për këto “krime”.

I riu nuk jep detaje të arratisjes, por nga fjalët e tij mund të konkludohet se ai do të kishte kaluar kufirin në zonën Bolgrad – Vulcanesti. Ai e dinte nga të tjerët se duhej të kërkonte mbrojtje nga autoritetet e Republikës së Moldavisë, por jo nga Policia Kufitare: nëse do të ishte kapur nga patrullat moldave në vendkalim, ai do të përballej me një proces më të vështirë regjistrimi si refugjat.

“Është më e lehtë të dorëzohesh në shërbimin e emigracionit dhe të kërkosh azil atje”, thotë i riu, i cili e bëri pikërisht këtë. Atij iu ofrua mbrojtje e përkohshme dhe tani ai po kërkon punë në Republikën e Moldavisë.

Sa serioz është kalimi i paligjshëm i kufirit?

Varet se në cilën anë të saj shikoni. Autoritetet ukrainase nuk e fshehin se, më shumë se dy vjet pas pushtimit rus, entuziazmi patriotik i ditëve të para, i cili bëri që ushtria ukrainase të rritej nga 260.000 në 700.000 burra, është zbehur ndjeshëm, shkaku edhe i humbjeve të mëdha dhe ngërçit në vijën e frontit.

Përpjekja për mobilizim është duke hasur në rezistencë dhe burrat e aftë për punë po fshihen për të shmangur bastisjet gjithnjë e më të shpeshta nga autoritetet ushtarake në rrugë dhe në transportin publik.

Në një nga shembujt më të fundit, më 5 korrik, një përleshje që shpërtheu midis civilëve dhe punonjësve të një qendre rekrutimi, të cilët vendosën të organizonin një postbllok të përkohshëm në një qytet në rajonin e Ivano-Frankivsk, eskaloi në dhunë. Shërbimi ukrainas i mediumit raportoi se një ushtarak u plagos dhe u shtrua në spital dhe makina e rekrutuesve u dëmtua.

Ministri i Brendshëm ukrainas, Ihor Klimenko, tha se çdo ditë, rojet kufitare ukrainase ndalojnë dhjetëra burra që po përpiqen të ikin nga Ukraina në vendet e Bashkimit Evropian. Ata që kapen, përballen me gjoba ose dënime penale. “Disa duan të kalojnë lumenjtë Tisa ose Dniester, të tjerët kalojnë nëpër pyje ose male”, tha ministri ukrainas.

Në Kishinau, autoritetet pretendojnë se duan të ndihmojnë institucionet ukrainase për të parandaluar ikjen e njerëzve të aftë për luftë, por veçanërisht trafikimin e organizuar të qenieve njerëzore. Megjithatë, nëse të arratisurit mbërrijnë të pazbuluar në Republikën e Moldavisë – ata janë jashtë rrezikut për t’u riatdhesuar.

Çfarë mbrojtjeje u ofron refugjatëve ligji i “një vendi të vogël me zemër të madhe”.

Neni 362 i Kodit Penal në lidhje me kalimin e paligjshëm të kufirit shtetëror nuk zbatohet për shtetasit e huaj që duan të përdorin të drejtën e azilit në Republikën e Moldavisë.

Në një përgjigje të dhënë, kreu i Policisë Kufitare, Ruslan Galușca, thotë se, nëse ukrainasit ndalohen menjëherë pas kalimit të kufirit ilegalisht, ose shkojnë personalisht në njësitë e Policisë Kufitare ose në Inspektoriatin e Përgjithshëm për Migracionin (IGM), duke kërkuar një formë të mbrojtjes ndërkombëtare, ata “nuk janë të sanksionuar për hyrje të paligjshme” në territorin moldav.

Republika e Moldavisë u jep të huajve katër forma mbrojtjeje: statusin e refugjatit, mbrojtjen humanitare, mbrojtjen e përkohshme dhe azilin politik. Duke filluar nga marsi 2023, IGM-ja zbatoi një mekanizëm të përkohshëm mbrojtjeje, një status që qytetarët ukrainas mund të përfitojnë në territorin moldav.

Të dhënat zyrtare të para tregojnë se, në një vit e dy muaj, së paku 12.760 burra ukrainas të moshës 18 deri në 59 vjeç – domethënë shumica e atyre që hynë ilegalisht – morën vetëm këtë status, të mbrojtjes së përkohshme.

Numri i atyre që tashmë kanë aplikuar për azil është dhjetë herë më i vogël. Një numër i krahasueshëm ukrainasish morën leje qëndrimi të përkohshme, dhe afërsisht të njëjtin numër – të drejtën për qëndrim të përhershëm. Disa dhjetëra ukrainas përfitojnë nga mbrojtja humanitare në Republikën e Moldavisë.

Zyrtarët e IGM-së gjithashtu thanë në një përgjigje me shkrim, se “shqyrtimi i kërkesës për azil kryhet në përputhje të plotë me parimin e konfidencialitetit, bazuar në një vlerësim individual të secilit rast”.

Por, jo të gjithë burrat ukrainas që kalojnë ilegalisht kanë Republikën e Moldavisë si destinacion përfundimtar, sepse disa shkojnë në vendet e Bashkimit Evropian.

Mbi Dniester, në Poloni

Vasili iku në Republikën e Moldavisë duke kaluar Dniestrin me varkë, pranë Soroçës, një natë prilli 2024. Tridhjetedyvjeçari ndodhet tani në Poloni, ku ka legalizuar qëndrimin.

Në një bisedë në Skype, Vasili tha se vendimin e ka marrë së bashku me prindërit dhe të dashurën e tij, e cila është me origjinë nga Rabnița, rajoni i Transnistrisë.

Të dy punuan nga distanca për një kompani të paneleve diellore. Ata thonë se morën rroga të mira për një kohë dhe dhuruan një pjesë të parave për nevojat e ushtrisë ukrainase, por humbën punën kur kompania e tyre duhej të bënte shkurtime.

Nëse e dashura e tij, e cila u largua e para nga Ukraina, e bëri këtë ligjërisht, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Vasilin.

Ai thirri, nëpërmjet Telegramit, një grup trafikantësh të rekomanduar nga një mik i tij që iku në vitin 2023 dhe, më vonë për 10.000 dollarë ai po hipte në një varkë me motor me tre të tjerë sikurse ai në bregun e majtë të Dniestrit, përballë Cremenciugut.

Gjatë bisedës me REL-in, Vasili tha se e konsideron veten më “fat” se shumë të tjerë, të cilët donin të kalonin ujërat në Dniestër me varka dhe… u kapën. Por, ne nuk jemi të parët me të cilët ukrainasi ka folur. Të parët ishin policët moldavë.

Për të marrë mbrojtje të përkohshme në Republikën e Moldavisë, Vasili duhej t’u tregonte se si kaloi dhe sa dha.

Ndërsa nuk ka pasoja të rënda për emigrantin, ky “proces dokumentimi”, siç e quan policia, mund të ndihmojë autoritetet të zbulojnë dhe çmontojnë kanalet e migrimit të paligjshëm.

Me dokumentin e përkohshëm të mbrojtjes në xhep, gjëja e parë që bëri Vasili ishte blerja e një bilete autobusi për në Varshavë, dhe më pas hodhi një monedhë në parkun qendror të Kishinaut, “në shenjë mirënjohjeje për këtë vend”.

“Nuk po iki sepse nuk e dua Ukrainën. Unë jam duke ikur nga vdekja. Më dhemb kur shoh njerëz që vdesin në vendin tim, por as unë nuk dua të jem tjetri”./Radio Evropa e Lirë/

Të ngjashme