Sipas një zyrtari të lartë të Sigurisë Kombëtare, përpjekjet e vazhdueshme nga shërbimet e huaja të inteligjencës dhe organizatat globale terroriste për të përhapur dezinformata në Shtetet e Bashkuara duket se po funksionojnë, duke ngritur shqetësime të reja për një sulm terrorist në javët e ardhshme.
Paralajmërimi, ndonëse është kryesisht në përputhje me buletinin më të fundit antiterrorist të departamentit, të lëshuar në nëntor, vjen ndërsa vendi përgatitet për festën e Krishtlindjeve dhe festimet me rastin e Vitit të Ri, së bashku me njëvjetorin e sulmit të dhunshëm më 6 janar në Kapitol.
“Kërcënimi është i paqëndrueshëm”, tha John Cohen, zyrtari më i lartë në Zyrën e Inteligjencës dhe Analizës në Departamentin e Sigurisë Kombëtare, në një forum virtual të mërkurën.
“Ne kemi bërë përparim dhe vazhdojmë të bëjmë përparim çdo ditë”, shtoi zoti Cohen. “Por kemi ende një rrugë të gjatë për të bërë”.
Buletini kundër terrorizmit i publikuar në nëntor paralajmëroi se SHBA-ja po përballej me “një kërcënim të rëndësishëm” nga ekstremistët vendas për pjesën e mbetur të vitit 2021 duke u zgjatur edhe në fillim të vitit 2022.
Por zoti Cohen tha në forumin e organizuar nga Programi i Universitetit të Xhorxh Uashingtonit mbi Ekstremizmin, se rreziqet janë bërë më të paparashikueshme për shkak të “një niveli të konsiderueshëm aktiviteti nga organizatat e huaja të inteligjencës”. Shumë prej tyre fitojnë vëmendje me fushatat e pandërprera të dezinformimit që ai i përshkroi si të vazhdueshme dhe shumë të sofistikuara.
“Ajo që e bën mjedisin më të paqëndrueshëm, nga këndvështrimi im, është se ajo cka reklamohet nga këta aktorë kërcënues po gjen me shpejtësi rrugën në mjedisin mediatik ku ato po përforcohen nga figura publike, në media dhe në qeveri“, tha ai.
“Objektivi i tyre mund të jetë politik ose i bazuar në vlerësime”, tha zoti Cohen. “Por në mjedisin aktual sa më gjerë që këto qëndrime të ndahen dhe të përhapen, aq më të larta janë gjasat që ato të konsumohen nga një individ që do ta përdorë atë si justifikim për dhunë.
Paralajmërime të tjera
Kjo nuk është hera e parë që zoti Cohen paralajmëron për rreziqet e dezinformatave nga shërbimet e huaja të inteligjencës dhe grupet terroriste. Ky nuk është i vetmi shqetësim.
Sekretari i Sigurisë Kombëtare Alejandro Mayorkas paralajmëroi të martën për pasoja “serioze dhe domethënëse” nga përhapja e dezinformatave.
“Tregimet e rreme paraqesin një kërcënim për sigurinë tonë”, tha zoti Mayorkas gjatë Forumit Teknologjik të Bloombergut. “Ne kemi nevojë që udhëheqësit tanë të luftojnë kundër tij, sepse fjalët e tyre kanë shumë rëndësi. Ata mund të jenë shumë ndikues në diskursin publik.”
Ish-zyrtarët dhe analistët e inteligjencës i kanë thënë Zërit të Amerikës se baza e përpjekjeve të fundit destabilizuese u hodh përpara zgjedhjeve të vitit 2020, me Rusinë në veçanti që po gjente mënyra për të tërhequr ndikim të qëndrueshëm tek audienca amerikane e të djathtës ekstreme dhe në të majtën ekstreme.
“Në përgjithësi, përsëritja e raportimeve miqësore ndaj Kremlinit ose Pekinit nga mediat kryesore është qëllimi përfundimtar i atyre që drejtojnë fushata të ndikimit keqdashës”, i tha Zërit të Amerikës Bret Schafer, një bashkëpunëtor i dezinformimit dixhital me Aleancën për Sigurimin e Demokracisë me qendër në Uashington.
“Është shumë më efektive të kesh mesazhe që vijnë nga burime të njohura dhe të besuara brenda një shoqërie sesa nga jashtë, kështu që figurat dhe mediat me ndikim kanë qenë prej kohësh në shënjestër nga ata që kërkojnë të ndikojnë në opinionin publik amerikan”, shtoi ai.
Korrikun e kaluar, gjigandi i mediave sociale Facebook njoftoi se rrëzoi një fushatë iraniane të njohur si Tortoiseshell, e cila synonte të manipulonte personelin ushtarak amerikan dhe kontraktorët e mbrojtjes në mediat sociale.
Dhe që në mars 2020, zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit thanë se Rusia, Kina dhe Irani po gjenin mënyra për të përforcuar fushatat e dezinformimit të njëri-tjetrit në lidhje me origjinën dhe përhapjen e koronavirusit, i cili shkakton COVID-19.
Mbrojtja më e mirë: qytetarë të informuar
Zyrtarët e lartë të zbatimit të ligjit në SHBA kanë ngritur shqetësime, por marsin e kaluar, drejtori i FBI-së, Christopher Wray tha se byroja nuk mund të bëjë më shumë.
“Në fund të ditës, pavarësisht nivelit të hetimeve të FBI-së nuk mund ta izolojmë mjaftueshëm vendin tonë nga ky kërcënim”, tha zoti Wray. “Mbrojtja jonë më e mirë është një publik i mirëinformuar”.
Zoti Cohen, zyrtari i lartë i inteligjencës në Departamentin e Sigurisë Kombëtare, tha të mërkurën se qenë e vështirë të sigurohet që publiku amerikan të mund të shohë se cfarë fshihet pas këtyre operacioneve të ndikimit.
“Përpjekja për të edukuar publikun se ku e marrin informacionin, mund të jenë në shënjestër të dezinformimit, dhe është sfida më e madhe me të cilën po përballemi aktualisht”, tha zoti Cohen. “Një pjesë të popullsisë nuk do të besojë atë që thotë qeveria”./voa/
”Mos më thuaj mua nuk guxon” – Xheneta ia thyen pakot e prot...
Çoçaj: Ferat Shala më kërkoi t’i bashkohem SHIK-ut, me sigur...
Delegacioni i Maqedonisë së Veriut arrin në Kosovë, priten n...
Fitore Pacolli kapet keq me komentues për grantin 100 mijë e...
Po voziste nën ndikim të alkoolit, gjobitet shoferi në Gjila...
Gjendet pa shenja jete në banjën e një shtëpie një grua në F...