Dezerton diplomati ushtarak i Venezuelës, i bashkohet liderit të opozitës

13:43 | 27 Janar 2019
Arbresh.info

Përfaqësuesi kryesor ushtarak i Venezuelës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Koloneli Jose Luis Silva, ka dezertuar nga qeveria e Nicolas Maduros. Ai ka thënë se e njeh liderin e opozitës, Juan Guaidon, si president legjitim të vendit.

Guaido e shpalli veten president të mërkurën e kësaj jave, duke fituar mbështetje nga disa shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, presidenti zyrtar, Nicolas Maduro, e ka akuzuar liderin e opozitës për organizim të puçit dhe i ndërpreu menjëherë marrëdhëniet diplomatike me SHBA-në.

Maduro u betua në mandatin e dytë si president gjatë këtij muaji pas zgjedhjeve të bojkotuara nga opozita, për të cilat kishte dyshime për kurdisje të rezultatit zgjedhor. Kjo gjendje kishte nxitur protesta masive, duke i dhënë kurajë Guaidos që ta kërkojmë rrëzimin nga pushteti të presidentit aktual.

Dorëheqja e diplomatit venezuelas po vlerësohet shumë e rëndësishme për përcaktimin e rrjedhës së ngjarjeve tash e tutje. Forcat e armatosura janë një faktor i madh që mund të ndikojë në këtë krizë sepse deri tash ato po e mbështesin presidentin Maduro, ndërsa largimi i Silvas mund të nxisë largime tjera, shkruan “BBC”

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme