“Dështim sistematik i OKB-së në Mianmar”

19:26 | 3 Korrik 2019
Arbresh.info

Një zyrtare e OKB-së sot tha se kishte “dështim sistematik” të OKB-së në Mianmar i cili gjithashtu përfshinte dështimin e vendeve anëtare, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur gjatë sesionit të 41-të të Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë të Zvicrës, raportuesja e posaçme e OKB-së për Mianmarin, Yanghee Lee, tha se raporti i pavarur për Mianmarin i ish ministrit të Jashtëm të Guatemalas, Gert Rosenthal, i shkruar me kërkesë të OKB-së, pranon dështimet sistematike të OKB-së.

“Çdo herë që ka shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut dhe krime kundër njerëzimit, OKB-ja thjesht do të thotë që ka dështime sistematike. Nuk di çfarë të bëj më tutje”, thekson Yanghee. Ajo thotë se të gjitha viktimat në botë meritojnë përgjigje se në çfarë mënyre ndodh ky dështim sistematik dhe çfarë do të bëjë OKB-ja për të parandaluar që të mos përsëritet.

Yanghee tha se dështimi i OKB-së gjithashtu përfshin edhe dështim të vendeve anëtare.

“Po parashtroj pyetje për të gjitha vendet anëtare. A do të vazhdoni të dështoni në mbrojtjen e të gjithë njerëzve në Mianmar?”, tha ajo.

Sipas organizatës Amnesty International, më shumë se 750 mijë refugjatë Rohingya, kryesisht gra dhe fëmijë, kanë ikur nga Mianmari dhe kanë kaluar në Bangladesh pasi forcat e Mianmarit filluan goditjen ndaj komunitetit pakicë të myslimanëve në gusht të vitit 2017.

Sipas një raporti të Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit Ontarios (OIDA), që nga 25 gushti i vitit 2017, rreth 24 mijë myslimanë Rohingya janë vrarë nga forcat shtetërore të Mianmarit.

Raporti tha se rreth 18 mijë gra dhe vajza Rohingya u përdhunuan nga ushtria dhe policia e Mianmarit si dhe mbi 115 mijë shtëpi Rohingya u dogjën dhe 113 mijë të tjera u vandalizuan.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme