“Ne ishim në katin e tretë me një student i cili ishte duke kryer provimin e semestrit. Gjëja e parë që kemi dëgjuar ka qenë një shtënë arme nga jashtë. Studenti që kam pasur në zyre është trembur, ndërkohë unë kam dalë jashtë dritares dhe shikoja kalimtarë që po vraponin. U mundova ta qetësoja studentin duke i thënë se ky veprim po ndodhte jashtë, por ndërkohë dëgjonim ulërima e lëvizje tavolinash në katin e mësipërm, aty ku kishte ndodhur ngjarja”, ka rrëfyer Doli në RTK.
Ajo tutje ka thënë se nuk ka besuar se diçka e keqe ishte duke ndodhur brenda fakultetit dhe ka tentuar të dalë nga zyra, por më pas duke dalë ka dëgjuar edhe një tjetër krismë arme.
“Më pas së bashku me studentin nga Danimarka që studion për gjuhën shqipe e kemi mbyllur derën me çelës dhe kemi vendosur karrige dhe tavolina në derë, duke e izoluar zyrën dhe jemi fshehur në një nga tavolinat e punës. Aty kemi qëndruar derisa ka ardhur policia”, ka shtuar ajo.
Sipas saj, rasti ka ndodhur rreth orës 15:00, derisa policia e ka thyer derën e zyrës ku ishin fshehur me studentin rreth orës 18:00.
Sidorela ka falënderuar ambasadorët e Kosovës dhe të Shqipërisë, të cilët me të dëgjuar se një shqiptare ka qenë në ndërtesë gjatë kësaj ngjarje të rëndë, ia kanë ofruar tërë ndihmën e nevojshme.